Deputeti i LDK-së , njëherësh gjeografi i zëshëm kundër versionit të tanishëm të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili tha se nuk u beson hartave të ish Jugosllavisë, por atyre të fakteve dhe miqve evropianë të Kosovës.
Bulliqi ka parashtruar një pyetje për Veselin duke e inkurajuar të tregojë se cilët botues i kanë prodhuar hartat topografike me të cilat Komisioni Shtetëror ka bërë shënjimin e kufirit të Kosovës me atë Malit të Zi.
“Z. Veseli unë kam vetëm një pyetje publike për ju: ‘Cilat janë ato harta topografike 1:25000, kush i ka prodhuar dhe nga cili botues janë ato në të cilat komisioni i juaj e ka shënjuar kufirin e ri’, ka shkruar Bulliqi në rrjetin social Facebook.
Bulliqi ka thënë se dëshiron të informojë opinionit se është shënjuar në po këto harta topografike të prodhuara nga Institutit Gjeografik Ushtarak të ish-Jugosllavisë.
“Andaj kjo që thoni është pa ndonjë mbështetje, sepse këtyre ju ka besuar edhe vetë komisioni i juaj!”, ka shkruar në fund Bulliqi.
Debati për çështjen e Demarkacionit i cili pritet të dërgohet në Kuvend për votim më 1 shtator, është duke vazhduar me kundërshtime të mëdha në mes kundërshtarëve të versionit aktual të marrëveshjes, dhe Komisionit Shtetëror dhe mbështetësve të tij. Deputetë të opozitës, dhe një numër i tyre në pozitë, janë deklaruar se do të votojnë kundër ratifikimit të kësaj marrëveshje./KosovaPress/