Dega në Podujevë e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shënuar sot 28 vjetorin e themelimit të saj. Në një ceremoni, për ta shënuar këtë përvjetor, morën pjesë anëtarë të kryesisë së LDK’së, deputetë, simpatizantë e veprimtarë.
I pranishëm ishte edhe Shpejtim Bulliqi, i cili ishte ndëshkuar nga kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, në zgjedhjet e vitit të kaluar, duke u lënë jashtë listës së kandidatëve për depututetë.
Ndëshkimi i Bulliqit kishte ndodhur pasi ai kishte kundërshtuar partinë, duke u deklaruar kundër marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
“Mua dhe disa kolegë tjerë padrejtësisht na përjashtuan nga listat kryetari me nënkryetarët e LDK-së. Neve na dëmtuan individualisht por LDK-në e dëmtuan më shumë, sepse e zvogëluan numrin e votave për LDK. Pra egot personale të një klani të ngushte në LDK, kontribuuan që ta irritojnë elektoratin e LDK-së duke e bërë atë si subjekt/koalicion të dalë e treta në këto zgjedhje”, kishte thënë Bulliqi në korrikun e 2017’s.
Fillimisht, pas publikimit të listës së kandidatëve, ai kishte reaguar duke thënë se e larguan prej saj nga frika. Por ai, pavarësisht mospërfshirjes në listën e deputetëve, kishte mohuar se do të largohet nga LDK-ja.
Sot, në Podujevë, Bulliqi është parë në mesin e zyrtarëve më të lartë të LDK’së.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, dhe tani kryetar i Komisionit shtetëror për demarkacionin, duket të jetë penduar për kundërshtimin e partisë. /Express/