Aktuale

Bulliqi: Demarkacioni nuk duhet të shkojë në arbitrazh

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shpejtim Bulliqi ndryshe nga kryetari i tij mendon se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi duhet të rinegociohet. Edhe pse kryeministri Mustafa, njeherësh kryetar i LDK-së ka paralajmëruar procedimin e Demarkacionit në Kuvend, Bulliqi ka shprehur se fillimisht duhen menjanuar lëshimet që ka bërë Komisioni Shtetëror.

“Praktikisht zgjidha më e mirë do të ishte rinegocimi i marrëveshjes, për faktin, se ne nuk kemi diçka kontestuese nga ana e Malit të Zi, e cila edhe më herët është deklaruar  se janë të gatshëm ta rishikojnë punën e Demarkacionit”, ka thënë Bulliqi.

Ai ka theksuar më tej për “lajmi.net” se arbitrazhi do të ishte i nevojshëm sikur të kishte paraqitur problem pala malazeze.

“Atëherë mënyra më e mirë do të ishte që të rinegociohet kjo çështje dhe të mënjanohen ato lëshime nga Komisioni Shtetëror, po ashtu të miratohet e të ecim tutje”, ka shtuar Bulliqi.