Bullgaria është pajtuar t’ia japë në shfrytëzim një port detar në Detin e Zi aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO. Ky vendim u mor në kohën kur tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë rritur.
Marrëveshja për shfrytëzimin e portit bullgar nga NATO-ja erdhi pas takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump, me kryeministrin bullgar, Boyko Borisov, në Shtëpinë e Bardhë të hënën.
NATO-ja i ka forcuar sistemet e mbrojtjes në Evropën Lindore, përfshirë rajonin e Detit të Zi, pasi Rusia e aneksoi Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014.
Më herët këtë vit, NATO-ja ka kryer ushtrime ushtarake në Detin e Zi, në të cilat u përfshinë më shumë se 20 anije dhe ushtarë nga Rumania, Bullgaria, Kanadaja, Greqia, Holanda dhe Turqia. Flota ruse e Detit të Zi e ka bazën në Krime.
“Duke e parë me shqetësim gjendjen e sigurisë në Detin e Zi, Shtetet e Bashkuara e mirëpresin ofertën e Bullgarisë për të dhënë në shfrytëzim portin në Varna për nismat e NATO-s”, thuhet në deklaratën e përbashkët të të dyja vendeve.
Në këtë deklaratë gjithashtu thuhet se zyrtarët amerikanë dhe bullgarë do të zhvillojnë takime të nivelit të lartë për bashkëpunim më të thellë ushtarak e detar, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.