Aktuale

Buja thotë se kaloi në NISMA pasi në PDK iu mbyllën “të gjitha shtigjet”

Ish-deputeti i PDK-së, Shukri Buja, që nga sot do të jetë pjesë e partisë NISMA për Kosovën. Ai nëpërmjet një konference për media e ka bërë publike aderimin e tij në këtë subjekt politik.

Buja është shprehur se në partinë NISMA ka gjetur bashkëluftëtarët e tij, andaj dhe kjo sipas tij është arsyeja se përse ai i është bashkuar këtij subjekti. Thotë se në PDK, partinë në të cilën ka qenë më herët i janë mbyllur të gjitha shtigjet.

“Pas një periudhe bukur të gjatë sot jo lehtë e pa vështirësi, pas mbylljes së të gjitha shtigjeve, gjeta një shteg të bashkëluftëtarët e mijë, dhe po eci bashkë me ta në drejtim të realizimit të synimeve të qytetarëve. Iu bashkova NISMA’së sepse këtu gjeta bashkëveprimtarët e mijë që i njohë prej kohësh. Tash e tutje do të hecim bashkë”, ka deklaruar ai.

Tutje pyetur se si e komenton koalicionin që NISMA ka me PDK;në, Buja është shprehur se do t’i qëndrojë pas vendimeve që merr partia e tij e re. Ai tutje ka deklaruar se do t’i nënshtrohem vendimeve të NISMA’së.

“Këtu jemi parti të ndryshme, pavarësisht koalicionit. E kam parasysh që NISMA ka një program social demokrat perëndimorë. Unë i nënshtrohem vendimeve të NISMA’së”, ka thënë ai.

E lideri i Nisma’së, Fatmir Limaj i ka uruar mirëseardhje Shukri Bujës në partinë që ai drejton.

Kujtojmë se Buja Shukri Buja ka dhënë dorëheqje kohë më parë nga posti i kryetarit të degës së PDK-së në Lipjan, si dhe nga kryesia e PDK-së, rrjedhimit duke hequr dorë edhe nga kandidatura e tij për kryetar të Komunës së Lipjanit për PDK-në.

Arsyet e dorëheqjes së tij, ish-kryetari i Lipjanit i kishte bërë të ditura në një letër pesë faqe që ia ka dërguar kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe kryesisë së partisë.