Në prag të festës së Kurban Bajramit, kryetari i Komunitetit të Myslimanëve të Shqipërisë, Skender Bruçaj, ka uruar të gjithë besimtarët me shpresën që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për tjetrin dhe të ketë paqe e mirësi në çdo fole familjare e shoqërore.
Bruçaj ka thënë se në këto ditë feste, besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.
“Në një ditë të tillë feste, në të cilën atmosfera shpirtërore ndihet anembanë, dua t’ju përcjell urimet më të mira: qofshi të gëzuar e në paqe me të gjithë të dashurit e zemrës.
Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu xh.sh. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë”, tha ai.
Bruçaj shtoi se në këtë atmosferë festive këshillohet që të gëzojmë sa më shumë zemra, të shtrohen sofrat, të shtrëngohen duart e miqësisë, të vizitohen të afërmit, të sëmurët, si dhe të shkëmbehen dhurata.
“Kjo është një festë që i përket gjithë njerëzimit, prandaj le të ndajmë me nevojtarët mirësitë materiale e shpirtërore. Të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pareshtur për mbarë njerëzimin; të lutemi e të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, vlerësimit ndaj njëri-tjetrit dhe ndihmës reciproke. Më lejoni të uroj përzemërsisht të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit: Gëzuar Kurban Bajrami me shpresën që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për tjetrin dhe të ketë paqe e mirësi në çdo fole familjare e shoqërore. Zoti e bekoftë kombin dhe Atdheun tonë”, tha Bruçaj.
Ai ka shtuar se në këtë atmosferë festive këshillohet që të kemi në qendër të vëmendjes fëmijët me dhurata perkedhelje dhe të moshuarit duke qëndruar pranë tyre me përkujdesje. /KosovaPress/