Shkolla 12 vjeçare “The British School of Kosova” ka mbajtur një Panair Shkencor, ku janë prezantuar 100 punime shkencore të punuara nga nxënësit e kësaj shkolle.
Drejtoresha e shkollës “The British School of Kosova”, Albnora Durmishi, ka treguar se cili është qëllimin i këtij panairi.
“Qëllimi i Panairit Shkencor për shkollën tonë është të inkurajojë mendimin analitik, punën eksperimentale dhe bashkëpunimin mes nxënësve të shkollës”, tha Durmishi.
Durmishi gjithashtu ka shtuar se përmes këtij panairi nxënësit mund të mësojnë shumë.
“Arsyet kryesore që shpresojmë që nxënësit tanë të arrijnë janë: Të mësojnë, të kuptojnë dhe të zbatojnë metodat shkencore, të sigurojnë përvoja dhe metoda reale përmes të cilave të gjitha njohuritë shkencore mblidhen”, shtoi ajo.
Kurse organizatorja e këtij panairi, Arjeta Camaj-Ibrahimi tha që ky panair rritë vetëdijesimin për të njohur shkencat natyrore më shumë.
“Qëllimi i këtij panairi është që të thellohet bashkëpunimi në mes nxënësve, të rritet vetëdijesimi për të njohur shkencat natyrore më shumë”, tha ajo.
Nxënësit e kësaj shkollë ishin shumë të lumtur për këtë panair dhe nuk hezitonin të flisnin rreth punimeve të tyre .
Nxënësja Artina Ibrahimi, tregoi për temën që ajo ka zgjedhur që ta bëjë prezantimin dhe arsyet përse ka vendosur ta bëjë atë punim.
“Tema është nxjerrja e yndyrës nga disa ushqime të cilat shumica nga ne i konsumojmë çdo ditë. Arsyeja përse e kemi bërë këtë prezantim është se ne të gjithë e dimë që ushqimet si çipsat, çokollatat nuk janë të shëndetshme për shkak të yndyrës, por ne këtë yndyrë nuk mund ta shohim. Me ndihmë të acetonit si tretës kemi arritur ta ndajmë yndyrën nga pjesa tjetër e ushqimit”, tha ajo.
Gjithashtu edhe nxënësi Lian Rashiti foli për punimin e tij ku ai dëshironte të tregonte fuqinë e ujit për të lëvizur objekte.
“Unë e kam bërë një punim, i cili tregon që me fuqitë të ujit ne mundemi me i ngre lart objektet edhe me i ulë poshtë. Duke shikuar në internet për ide, e pash këtë dhe mu duk shumë interesant”, tha ai.
Ky është viti i dytë që po mbahet Panairi Shkencor nga shkolla “The British School of Kosova”.