Rajon & Botë

Britania e Madhe jashtë Bashkimit Europian

Britania e Madhe ka votuar në Referendum për të qëndruar jashtë Bashkimit Europian. Sipas BBC, me votat e numëruara deri tani 52% e qytetarëve britanikë kanë votuar që të dalin nga unioni dhe 48% kanë votuar pro qëndrimit në BE, transmeton KosovaPress.

Uellsi dhe Anglia kanë votuar për daljen e Britanisë madhe nga BE, ndërsa Irlanda e Veriut dhe Skocia kanë votuar kundër daljes nga BE.

Mediat britanike, BBC, ITV dhe Sky News njoftuan se rreth 52 për qind e votave favorizonin daljen nga BE-ja.

Zyrtarët e numërimit të votave thanë se pjesëmarrja ishte e lartë në këtë referendum, i cili kishte të bënte me emigracionin, sovranitetin, sigurinë dhe të ardhmen ekonomike të Britanisë.

Udhëheqësi i fushatës për largimin nga BE-ja, Nigel Farage, tha se 23 qershori do të hyjë në historinë e Britanisë si “Dita e Pavarësisë”. Ai i bëri thirrje kryeministrit David Cameron të japë dorëheqjen.

Pasiguria që pason daljen nga BE-ja bëri që paundi britanik të luhatej shumë dhe gjatë natës ai ra më shumë se 5 për qind.