Banka “NatWest” ia ka ngrirë llogaritë bankare transmetuesit shtetëror rus, RT, në Britani të Madhe.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, transmeton Express.
Ajo ka shkruar në “Twitter”: “Ata na i kanë mbyllur llogaritë në Britani. Të gjitha llogaritë tona bankare”.
RT thotë se banka nuk u ka dhënë atyre ndonjë shpjegim për vendimin e marrë.
RT, në të kaluarën i njohur si “Russia Today”, thotë se banka “NatWest”, i ka shkruar zyrës së saj në Londër: “Së fundmi, e kemi bërë një rishikim të marrëveshjeve tuaja bankare me ne, dhe kemi ardhur në përfundim se nuk do t’ju ofrojmë më këto lehtësira”.
Simonyan ka thënë se edhe llogaritë bankare të disa zyrtarëve të lartë të RT-së që punojnë në Britani, janë ngrirë.
RT, i cili udhëhiqet nga Kremlini, është sanksionuar në të kaluarën nga Rregullatori Britanik për Transmetim “OFCOM”, për shkak të raportimit të anshëm./Express/