Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj dhe Drejtori Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve Ardian Alushi, vijuan inspektimet në jug të vendit, duke u ndalur në kantierin e ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve në zonën turistike të Ksamilit.
Ministri Dervishaj tha se ky projekt është në fazën përfundimtare për sa i përket punimeve, dhe vepra pritet që të përfundojë brenda muajit Nëntor.
Dervishaj nënvizoi se kjo vepër do të sjellë një impakt shumë pozitiv për këtë zonë turistike të vendit, pasi do të shërbejë edhe gjatë sezonit të fluksit të turistik.
“Ky projekt që financohet nga fondet “IPA”, do t’i shërbejë rreth 4 mijë banorëve rezident në Ksamil, por ka një kapacitet përpunimi për 40 mijë banorë, gjatë sezonit turistik”, tha Dervishaj.

Ministri Dervishaj u ndal edhe te problematika e pak javëve më parë, duke theksuar se janë marrë masat që të mos ketë ndotje të bregdetit, dhe të ruhen standardet ambientale.
Rrjeti kanalizimeve të Ksamilit, do të lidhet me impiantin e Sarandës, dhe pritet të sjellë përmirësim rrënjësor të sistemit të kanalizimeve në zonën turistike.