Statusi i Asociacionit /Bashkësive të komunave me shumicë serbe në Kosovë, çështja e kufijve me komunat serbe në Mitrovicë, ajo e të pagjeturve, kodi telefonik ,dhe në përgjithësi për bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, ishin temat për të cilët sot para Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, raportoi ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Ajo tha se marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit. Ndërsa tha se çështja e vijës kufitare në veri të Mitrovicës do të jetë mbi lumin Ibër.
“Zbatimi i kësaj marrëveshje përkatësisht statusi i asociacionit do të respektoj plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 dhjetor 2015. Sipas marrëveshjes së Brukselit, asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes në Republikën e Kosovës. Asociacioni do të jetë një strukturë e përberë nga komunat me shumicë serbe, që vepron në pajtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe e cila do të ndihmoj komunat në realizimin e çështjeve lokale. Asociacioni nuk mund të marrë vendime për komunat dhe as në emër të komunave si anëtarë të saj… Roli i tij do të jetë vetëm në përfaqësim dhe lehtësimin normal të komunave me shumicë serbe. Në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet pronare e pasurisë publike të Kosovës, qoftë të pronësisë së nivelit qendror apo lokal. Asociacioni nuk do të ketë rol në menaxhimin e pasurisë të resurseve natyrore të Kosovës”, tha Edita Tahiri.
Lahi Brahimaj , anëtar i komisionit, i ka tërhequr vërejtjen ministres Tahiri për mburrje dhe fjalë të shumta për të arriturat e dikasterit të saj, përderisa realiteti është ndryshe. Brahimaj tha se rasti i arrestimit të pjesëtarit të policisë tregon më së miri ndikimin e Serbisë në vendin tonë.
“Po na flisni me plotë gojën se e keni integruar atë zonë në veri. Po të lus, kur po na merr kështu të gjithëve të shkojmë të vizitojmë kufirin?! E dyta, e përmende për të zhdukurit. Thatë që nuk keni ende lista të kompletuara. A është turp 17 vjet pas luftës Qeveria e Kosovës me gjithë këtë kabinet që ka që është megaloman, nuk e keni ende numrin e saktë të të zhdukurve. Do të më vinte turp me qenë pjesë e këtij kabineti. E përmendet reciprocitetin për policin e arrestuar Nehat Thaçi. Kur Gjikiqa Stojanoviqi , vjen në Gjakovë një kryekriminel dhe nënat gjakovare dalin me protestua për të. Policia e shteti me urdhër të ministrave del e i rrah nënat gjakovare me gazë lotsjellës…dhe Gjokica Stojanoviq, endet lirshëm. Me thua që i keni integruar serbët e veriut. E dinë shumë mirë kur është nisur ministri Avdullah Hoti, si është kthyer”, tha Brahimi.
Tahiri ndërkohë menjëherë iu përgjigj pyetjeve të deputetit nga radhët e AAK-së.
“Janë mbi 1600 raste, është e vërtet që nuk janë zbuluar. Serbia e dinë ku janë . Duhet t’i hap arkivat ushtarake, se nga forcat serbe okupatore janë bërë këto vrasje, zhdukje, apo kanë krijuar traditë e njerëzve të pagjeturve të Kosovës… Dialog i Brukselit ma merr mendja në fazën e tretë do ta trajtoj deshëm apo nuk deshëm … Dhe janë organet kompetente të shtetet tonë që i takon të merren me këto çështje “, tha Tahiri.
Sadri Ferati, anëtar i Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kërkoj të di të vërtetën e cila ka nxitë debate të shumta rreth çështjes së vijës kufitare në Veri të Mitrovicës. Për këtë ai kërkoi të vërtetën e bisedimeve për vijën kufitare për komunën e Mitrovicës.
“Kemi deklarata të ndryshme nga i njëjti takim. Posa kemi dal nga takimi ne kemi deklarata të ndryshme. Ndryshe është thënë në Prishtinë ndryshe është thënë në Beograd. Realisht unë jam me këtë frikën e popullatës ku kemi dy deklarata… A është biseduar për kufijtë e komunave Mitrovicë dhe Mitrovicë e Veriut.
Menjëherë Tahiri është përgjigjur duke thënë se nuk ka pasur bisedime e as nuk do të ketë për vijën kufitare të komunës së Mitrovicës.
“Asnjëherë në Bruksel nuk është biseduar tema e vijës administrative mes dy komunave të Mitrovicës. Kjo çështje zhvillohet në kuadër të kompetencave të ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Madje për informimin tuja, fjala është vetëm për konfirmim të vijës administrative. Sepse me ligjin për vijat administrative të komunave të Kosovës kjo vijë është e definuar. Këtu po flasim për një memorandum mirëkuptimi me të cilën konfirmohet jo përcaktohet. Pse duhet të konfirmohet. Sepse siç e dimë nga ndërhyrjet e Serbisë që nga paslufta, komunat veriore sidomos Komuna e Mitrovicës Veriore e ka kontestuar këtë vij. Dhe arsyeja ka qenë kanë pasur pretendime që kjo vijë të jetë tek lumi Ibër. Mirëpo me ligjet e Republikës së Kosovë dhe me planin e Ahtisarit. Vija administrative mes dy komunave është mbi lumin Ibër“, tha Tahiri.
Tahiri për herë të parë ka raportuar sot para komisionit Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media . Ajo në fund i ka ftuar anëtarët e Komisionit për të shkuar bashkë në veri të Mitrovicës.