Aktuale

Bosi i Facebook-ut vuan nga kanceri

Kryesorja e Facebookut në Evropë ka treguar se është duke vuajtur nga një formë e pashërueshme e kancerit, në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes.

Nicola Mendelsohn, 46 vjeçe, u diagnostikua me “follicular lymphoma” një vit më parë dhe tha se ka vendosur “të presë” nëse tumorët do të rriten, në vend se t’i luftojë ata me kemoterapi.

Nëna e katër fëmijëve tha se doktorët e saj e kanë këshilluar atë se më e mira është që të vazhdojë monitorimin e sëmundjes për të parë nëse po përparon, dhe ajo ka pasur skanime të rregullta që prej diagnostikimit në nëntor të vitit 2016, transmeton Gazeta Express.

Zëvendës Presidentja për Evropë, Lindje të Mesme dhe Afrikë tani ka themeluar një grup mbështetës në rrjetin social të quajtur “Living with Follicular Lymphoma”, për t’i ndihmuar ata që vuajnë nga kanceri dhe për të rritur ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes.

Duke treguar për diagnozën në faqen e saj në Facebook, ajo shkroi:

“Shpesh flas për atë se si njerëzit mund ta kapin fatin e tyre, kështu që është e vështirë ta mendosh se ka gjëra të cilat nuk mund t’i kontrollosh. Vetëm një vit më parë unë u diagnostikova me follicular lymphoma – një kancer i qelizave të bardha të gjakut i cili zhvillohet ngadalë dhe që nuk ka shërim.

Është një sëmundje e panjohur dhe kjo është arsyeja pse kam vendosur të rriti ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundjeje duke e treguar historinë time, me shpresë se do të çojë në më shumë hulumtime dhe kuptim më të mirë të saj”.