Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell ka folur pas takimit të mbajtur me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
Para mediave, ka thënë se është interes i BE-së që regjioni i Ballkanit të jetë i qetë dhe i bashkuar, shkruan lajmi.net.
“Është në interes tonin siguria në regjion, dhe nuk mund t’i lejojmë vetes që ta kemi Ballkanin e ndarë, apo pa njëra tjetrën, dhe të ndalojmë vuajtjet të cilat kanë ndodhur nëpër botë. Unë vi nga një shtet që akoma sot e kësaj dite ka njerëz të pagjetur, dhe kjo përvojë e pakëndshme mund të jetë si pikënisje për stabilitet”, tha Borrell.
Tutje, Borrell tha se kosovarët janë njerëz të lirë të vendosin vet për fatin e Qeverisë, mirëpo theksoi qartë se duhet të lëvizet më shpejtë me këtë proces.
“Kosovarët janë njerëz të lirë të vendosin për fatin e vet, dhe është punë e tyre të bisedojnë për krijimin e qeverisë. Pra, është çështje e kosovarëve që ta vendosin fatin e vet. Ajo që dëshirojmë ta shohim është që ta krijoni qeverinë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Është një çështje shumë e ndjeshme dhe e kuptoj në plotësi”, tha Borrell.
Borrell tutje tha se nuk mund të premtojë datë për liberalizimin e vizave, por që Kosova sipas tij i ka plotësuar të gjitha kriteret për këtë.
“Nuk mund të them se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave, por nga ana ime dhe nga ana e Komisionit Evropian them se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Pra është çështje e ditur që kosovarët duan të udhëtojnë të lirë në vendet evropiane, dhe një vendim i tillë do të merret shumë shpejt”, tha ai. /Lajmi.net/