Ekonomi

‘Bllokada politike’ në Kosovë: Paralajmërohen probleme të mëdha ekonomike

Ekspertët e ekonomisë kanë paralajmëruar se ‘bllokada politike’, do të shkaktojë probleme të mëdha ekonomike në Kosovë.

Njohësi i ekonomisë, Naim Gashi, ka thënë për Radio Kosovën se problemi do të jetë për realizimin e projekteve kapitale.

Sipas tij, shëndetësia, arsimi, hapja e vendeve të reja të punës duhet të jenë prioritetet e qeverisë së ardhshme, për zhvillimin e vendit.

‘Vonesat për krijimin e institucioneve përveç aspektit ekonomik, ato ndikojnë edhe në imazhin e shtetit dhe në dekurajimin e investimeve të jashtme, për të cilat Kosova ka nevojë. Arsimi dhe shëndetësia duhet të jenë dy sektorët primarë në qeverinë e ardhshme, për shkak se këta dy sektorë janë para kolapsit, për të mos thënë të kolapsuar’, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka kërkuar që sa më shpejt të formohen institucionet e reja të vendit, pasi që sipas tij, vonesa e krijimit të tyre shkakton dëm të pariparueshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

‘Kosova nuk ka komoditetin që ka rritje vetëm ekonomike, në vitin 2019, nuk kemi arritur që të krijojmë rrethana dhe kemi një rritje të qëndrueshme, jo katër për qind apo pesë për qind, por të shkojmë tutje, shtatë apo tetë’, ka thënë tutje ai.

Ndërsa, Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, thotë se qeveria e ardhshme prioritet duhet ta ketë hartimin zhvillimor ekonomik të vendit.

‘Në atë strategji do të duhet të jetë prioriteti i zhvillimit ekonomik të vendit, ne nuk e dimë aktualisht se cili është prioriteti zhvillimor i vendit, si privat, ne mund të themi se kemi disa iniciativa, por si shtet ato shpesh janë penguar. Prandaj, hartimi zhvillimor për ekonominë e vendit, duhet të jetë prioritet i qeverisë në ardhje dhe atyre të ardhshme në vazhdimësi, që të kenë fokus një planprogram’, ka përfunduar Shahini.

the authorGazetaKNN