Si rezultat i shumë ankesave të bizneseve në Kosovë dhe sidave të mëdha me të cilat ballafaqohen bizneset, Oda e Afarizmit të Kosovës ka evidentuar dhe adresuar 14 probleme që ndërlidhen në treg, të cilat janë prezantuar sot në tryezën diskutuese “Konkurrenca jo lojale në treg”.
Drejtori ekzekutiv i OAK, Ismet Mulaj ka thënë se ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen bizneset e ndershme, është evazioni fiskal, mos pagimi i taksave, mbajtja e punëtorëve në të zezën, prokurimi publik, CEFTA si dhe aksionet e rrejshme për zbritje për mashtrim të konsumatorëve. Të gjitha këto, sipas Mulajt paraqesin konkurrencën jo lojale në treg.
“Kam renditur pothuajse 14 probleme që lidhen me konkurrencën jo lojale në treg ose konkurrencën jo fer në treg. Prej asaj që është një problem shumë I madh, është evazioni fiskal I shkaktuar prej formave të ndryshme, prej mos pagimit të taksave të ndryshme.Një sfidë tjetër, ose nën problem kryesor është që lidhet me biznesin është mos deklarimi i të punësuarve. Sot kjo sfidë krijon pabarazi të madhe në treg , ku kemi ankesa në mënyrë të vazhdueshme prej biznesit, ku thotë: ‘Unë i kam të regjistruar të gjithë punëtorët, paguaj taksa për ta, paguaj shtetit taksat për ta, ndërsa kompaninë që e kem afër të gjithë punëtorët i mban në të zezën’, dhe kjo natyrisht se e bën të pabarabartë në raport me bizneset e rregullta”, theksoi Mulaj.
Ai ka shtuar se edhe mos fiskalizimi mbetet një sfidë tjetër, ku sot thuhet se 40 përqind e bizneseve në Kosovë janë ende të pa fiskalizuara ku bëjnë pjesë edhe naftëtarët.
Mulaj ndër të tjera kërkoi të trajtohen njësoj investitorët vendorë me ata të huaj dhe Kosova duhet me krijuar një treg të barabartë, për secilin biznes, sepse sipas tij, vendi nuk është një ishull i izoluar.
Fatime Haziri anëtare e Bordit të Komisionit Kosovar të Konkurrencës tha se me qëllim që të sigurohet zhvillim i qëndrueshëm në ekonominë e tregut të Kosovës, duke ndaluar veprimet që kufizojnë, shtypin dhe çrregullojnë konkurrencën në vend, ligji i Konkurrencës vepron për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg.
Haziri tha se janë duke hetuar trembëdhjetë sektorë të ndryshëm që veprojnë në tregun e Kosovës dhe së shpejti do dal me raportin final.
“Tani kemi qenë duke hulumtuar tregun për monopolet, tregun e telekomunikacionit, tregun e energjisë, tregun e sigurimeve, tregun e importeve të naftës, produkteve farmaceutike, tregun e transportit rrugor e hekurudhor dhe ajror. Po ashtu tregun e mediave dhe produksioneve kinematografike, tregun financiar dhe bankar”, theksoi Haziri.
Ajo ka shtuar se janë duke hetuar edhe tregun e lojërave të fatit, tregun e minierave dhe mineraleve, tregun e pajisjeve fiskale, tregun e furnizimit me ujë dhe tregun e mbeturinave.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha theksoi se ka korrupsion nëpër institucione private dhe publike, si dhe politika jo adekuate fiskale, të cilat e bëjnë konkurrencën jo fer në treg, krejt kjo ndoshta sipas tij, për shkak se sundimi I ligjit nuk është në nivel të duhur. Ai ka shtuar se Kosova ende nuk i ka definuar krejt kufijtë, edhe me dy vendet fqinje të Kosovës, Malin e Zi dhe me Serbinë, që në baza ditore Dogana, Policia kufitare dhe institucione tjera zënë kalime ilegale të mallrave dhe deklarime të rrejshme.
“Sundimi i ligjit nuk është në nivelin që ne e dëshirojmë , nuk kemi një kulturë shtetërore, për arsye se ende e shohim shtetin ose institucionin si të huajat. Kemi një papunësi bukur të lartë që është një prej kontribuuesve kryesor të në çështjet e ekonomisë jo formale dhe të kontrabandës që ndërlidhen këto së bashku. Korrupsion prezent nëpër institucione privat dhe publike, si dhe politika jo adekuate fiskale, kur e them këtë ne shohim se luftimi i ekonomisë jo formale nuk bëhet vetëm prej një institucioni ose prej një mekanizimi, por së pari duhet të kemi politika të shëndosha fiskale që e pamundësojnë ekonominë jo formale në nivel vendi, por edhe në nivel regjional”, theksoi Berisha.
Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, tha se është i kënaqur që ka një bashkërendim sot në këtë tryezë që të përmirësohet gjendja e bizneseve. Ai deklaroi se si industri problemin më të madh e kanë të eksportojnë prodhimet tyre në Zvicër dhe Maqedoni për shkak të barrierave të ndryshme jo tarifore.
“Ne për momentin si industri problemin më të madh e kemi fillimin e eksportit nga Kosova, duke u ballafaquar me barrierat e ndryshme jo tarifore, të cilat neve na paraqiten nga vendet e CEFTA-s, por edhe nga Bashkimi Evropian. Kërkesat për ekspert janë shtuar dhe kemi filluar të eksportojmë vetëm për Shqipëri, kemi bërë disa para kontrata em Zvicër, mirëpo edhe pse Zvicra i pranon produktet me prejardhje shtazore nga Kosova transitin nuk e mundëson Unioni Evropian dhe nuk mund të eksportojmë, do të eskortojmë vetëm produkte që janë me prej ardhje jo shtazore për tregun e Zvicrës. Ajo që duhet ta veçoi janë barrierat jo tarifore, të cilat neve na vendosin nga vendet fqinje siç është Maqedonia që kemi problem”, theksoi Piraj.
Ndërsa, Shaban Muja prodhues i alimeniumit i cili theksoi se është eksportues dhe konkurrues në shtetet perëndimore, por në Kosovë nuk arrin të bëjë konkurrencë për të cilën tha se e ka të pa mundur nga autoritetet e Kosovës. Muja, shtoi se në fabrikë ka të punësuar 50 punëtorë, mirëpo tregon se po të kishte treg fer në Kosovë do të shtonte numrin e të punësuarve deri në 200. Ai ka shtuar se me politikat e gabuara nga Dogana, Autoriteti i Konkurrencës dhe MTI po e detyrojnë të mendon edhe ta mbyllë fabrikën në Kosovë.
“Unë jam eksportues në Gjemani, Zvicër, në Holandë, në Itali, Hungari, kurse në Kosovë nuk mundem me bërë konkurrencë, është e pa mundur, duke ju ‘falënderuar’ Doganës, Ministrisë së Tregtisë dhe Autoritetit të Konkurrencës, sepse këta nuk e lënë ne me bërë biznes. Këtu po ju them drejt, sepse kështu nuk del të ju thotë asnjë biznes haptas. Dy vjet kam kërkuar takim me doganën, dy vjet me Ministrinë, asnjë nuk më ka kthyer përgjigje”, theksoi Muja.
Drejtoresha e Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Sytrime Dervisholli, tha se pa dashur me filluar me negativitet për CEFTA-në, kjo ka qenë një e keqe e ardhur më herët, kur autoritetet e Kosovës nuk kanë pasur shumë kompetenca.
Dervisholli tha se ka shembuj të ndryshëm ku aktualisht disa masa janë në fuqi, kryesisht ndaj shtetit të Serbisë, kanë qenë edhe ndaj Sllovenisë për produktet e ndryshme.
Ajo shtoi se kanë bërë hulumtime edhe te sektori i vezëve, tek bllokat ndërtimor dhe është duke u punuar në këtë aspekt. Sipas saj, Departamenti i Tregtisë bënë adresimin e barrierave tregtare jo vetëm në raport me vendet tjera, por gjithashtu edhe me barrierat që bizneset mund t’i kenë në raport me institucionet e tjera vendore që kohëve të fundit ka një numër të shtuar.
Safet Hoxha nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik theksoi se duhet të ndërrohet qasja e institucioneve publike në raport me biznesin që biznesi të shihet një partner strategjik i këtij vendi.
Ai tha se është shumë i vetëdijshëm për pozitën e bizneseve të rëndë në treg, për problemet që lidhen prej informaliteti, invazionit fiskal, si dhe problemeve që I kanë me prokurimin publik.
Mirëpo, në kuptimin e disiplinimit, Hoxha tha se janë munduar që në secilin hap në këto procedura për shpenzimin e taksave të qytetarëve ta vendosin në dispozitë juridike.
Valdet Gjinovci, kryeshefi i AUV theksoi se problemet të cilat paraqiten qoftë në import dhe në eksport të produkteve, në bashkëpunim me MTI do të mundohen t’ju japin përgjigje dhe t’ju ofrohet ajo që kërkohet dhe që është obligim ligjor dhe institucional nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
Në këtë tryezë shqetësimet e tyre për tregun e Kosovës, kanë paraqitur edhe përfaqësues të tjerë të bizneseve, të cilët kërkuan të ndërmarrin masa autoritetet përkatëse./kp