Kostoja e energjisë elektrike nga ana e bizneseve është raportuar të jetë pengesa më e madhe për bërjen e biznesit për vitin që shkoi. Pengesë tjetër më e madhe është konkurrenca e padrejtë nga ekonomia e jo formale dhe nga jo stabiliteti politik në vend.
Kështu u tha gjatë prezantimit të studimit “Bottleneck- fytet e ngushta” të publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës(OEK), ku u bë e ditur se rreth 300 milionë euro shtesë kanë paguar bizneset për mungesë të energjisë elektrike.
Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu, duke treguar se të gjeturat e këtij studimi janë tepër reale, tha se bartës i zhvillimit ekonomik dhe përmirësues i ambientit biznesor në Kosovë nuk është vetëm Ministria e Tregtisë dhe Ministria e Financave, prandaj, një rekomandim duhet të jetë që të ketë dialog të mirëfilltë ndër institucional.
Gërxhaliu tha se nuk mund të avancohen implementimi i projekteve në qoftë se nuk ka në këtë drejtim një komunikim më të mirëfilltë. Sipas tij, në qoftë se nuk ka hapa në këtë drejtim, në të ardhmen do të ketë trende ekonomike jo të dëshiruara.
“Një hulumtim i cili ka bazë, ka transparencë, ka komunikim, ka dialog dhe rezultatet e gjetura janë vërtet jo vetëm reale, por më se reale. Nga të cilat rezultate duhet bashkërisht të orientojmë agjendën tonë ekonomike drejt ardhmërisë…Është një hulumtim, I cili Identifikon barrierat e të bërit biznes në Kosovë dhe defintivisht në këtë hulumtim që ndoshta dikujt nuk do ti shkoj për shtati se ka trende pozitive, por nga ky takim besoi që është koha kur duhet kuptojmë që kritika është opsion I të mësuarit e jo armiqësi. Andaj, dialogu, komunikimi dhe partneriteti nuk kanë alternativë”, deklaroi Gërxhaliu.
Këshilltari strategjik në Odën Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi deklaroi se në këtë studim janë të përfshira 372 biznese të Kosovës, dhe shumica e bizneseve të cilat ballafaqohen me barriera shtrihen në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Ferizajt.
Sipas Rukiqit mbi 75 përqind e bizneseve shohin pengesë edhe marrjen e vizave për biznese. Ai tha se nga problemet me viza bizneset kanë humbur partnerët për gjetjen e kontakteve të reja në tregun e Bashkimit Evropian. Mirëpo, sipas tij, top-problem kryesor për bizneset mbetet kostoja e lartë e energjisë elektrike.
“Nëse i shohim barrierat kryesore, e shohim që kostoja e energjisë, pastaj konkurrenca jo lojale, jo stabilitetit politik dhe niveli I përgjithshëm I produktivitetit janë top barrierat që ballafaqohen bizneset në Kosovë. 51.2 përqind e bizneseve kanë deklaruar që kostoja e energjisë elektrike mbetet problem kryesor… Sipas një studimi të USAID-it të vitit 2015, diku 290 milionë euro kanë paguar bizneset në baza vjetore kosto shtesë për shkak të mungesës së energjisë elektrike”, theksoi Rukiqi.
Ai shtoi se 58 përqind e bizneseve synojnë rritjen e investimeve, e cila konsiderohet si indikator pozitiv.
Rukiqi tha se ndër barrierat është edhe korrupsioni dhënia e ryshfetit, por jo në përqindje të lartë. Sipas Rukiqit më shumë mbetet perceptim korrupsioni dhe dhënia e ryshfetit.
Ministrja e MTI-së Hykmete Bajrami tha se përgjegjësia për ambient të biznesit nuk është vetëm e një Ministrie apo dy Ministrive, por është komplet e nivelit qendror dhe atij lokal. Sipas saj, është përmirësuar shumë ambienti i biznesit duke i adresuar barrierat administrative, por një pjesë e tyre janë në adresim e sipër.
Ministrja Bajrami është e njohur me shqetësimin e bizneseve për kosto të lartë të energjisë. Ajo tha se kjo çështje është adresuar në Kuvendin e Kosovës. Sipas saj, kontrata për TC Kosova e re është në fazën finale.
“Tani te barriera, kostoja e energjisë elektrike ku mbi 50 përqind e ndërmarrjeve e kanë si top barrierën kryesore, t’ju themi të drejtën ne e dimë këtë. Ne kemi punuar në këtë drejtim, kemi punuar edhe në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim ekonomik ku kemi mbajtur mbledhje dhe takime të veçanta dhe ashtu siç u rekomandua nga Rukiqi ne veç e kemi adresuar çështjen tashmë te Kuvendi i Kosovës, të cilët duhet t’i raportoi Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik pothuajse është në përfundim të përmbylljes të kontratës(Për Kosovën e re). Ne e dim që për energji elektrike është bërë vonë, mirëpo po punohet në atë drejtim”, deklaroi ministrja Bajrami.
Edhe ministri I Financave, Avdullah Hoti, tha se barrierat e paraqitura sot në studimin e EEK kanë qenë të pritura për të. Mirëpo, ai tha se shumica prej tyre janë në rrugë të zgjidhjes./kp