Bizneset janë më meritoret që japin kontributin më të madh për bërjen e shtetit. Këtë vlerësim e ka dhënë Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila ka folur rreth të bërit biznes në Kosovë, ku sivjet Kosova renditet më mirë se vitet tjera, duke dalë në vendin e 60’të.
Ajo ka treguar se kanë mbajtur një tryezë bashkë me Ministrin e Financave, Avdullah Hoti dhe me bizneset ku kanë diskutuar për përmirësimin e ambientit biznesor.
“Falënderojmë bizneset për kontributin që po e japin në bërjen e shtetit tonë. Ju jeni më meritoret!”, ka shkruar Bajrami.
“Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Ministrin Hoti biseduam me të gjitha shoqatat në kuadër të OEK. Diskutuam për progresin e bërë e bërë në përmirësimin e ambientit biznesor dhe ciklin e dytë të reformave që do të nisin në nëntor. Ministria e Financave po punon në reformën fiskale 2.0 duke kontribuar shumë në përmirësimin e ambientit të biznesit”, ka shtuar ajo.
Shefja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se me mbështetjen e Kryeministrit dhe të Ministrive tjera presim që vitin tjetër reforma do të jetë edhe më domethënëse.
“Bizneset kanë sfida, ne po i adresojmë ato së bashku, partneriteti publiko-privat më i fortë se kurrë do të vazhdojë dhe do të forcohet tutje”, ka shtuar ajo.