Ekonomi

Bizneset iu shmangen tatimit, lëshojnë kuponë jo fiskal

Shumë biznese në vend po iu shmangen tatimit, duke lëshuar kuponë jo fiskal me printer jo fiskal. Edhe Administrata Tatimore brenda dy muajve të fundit ka evidentuar 335 biznese që nuk kanë instaluar arkat fiskale, si dhe kanë hasur në 638 arka fiskale që kanë funksionuar, mirëpo të dhënat e tyre nuk janë pasqyruar, bënë të ditur KosovaPress. Në mesin e tyrë është edhe Hotel Emerald, ku institucionet shtetërore dhe të huaja organizojnë aktivitete të shumta.

Një konsumator, Naim. L., ka treguar për KosovaPress se në një market në rajonin e Prishtinës ka hasur në kupon jo fiskal të lëshuar nga printerët jo fiskal që nuk ka as mbishkrimin e marketit. Konsumatori ka prezantuar edhe kuponin jo fiskal pasi kishte paguar në shumë prej 52 euro. Ky rast për zyrtarë të Institutit GAP, paraqet ekonomi informale dhe konkurrencë jo të drejtë tek bizneset.

Hulumtuesi në Institutin për Studime të Avancuara-GAP, Berat Thaçi deklaroi se informaliteti ose kuponët jo fiskal krijojnë pa barazi në mes bizneseve dhe ndikon në uljen e të hyrave buxhetore të shtetit. Sipas Thaçit, lufta ndaj informalitetit do të rriste mirëqenien e qytetarëve dhe do të përmirësonte kushtet e bizneseve në përgjithësi.

“Problemi me informalitetin është se krijon një konkurrencë jo të drejtë në mes bizneseve, ky është dëmi parë, pastaj dëmi tjetër është se ulen edhe të hyrat buxhetore përmes të cilave mund të krijohen investime të cilat rritin mirëqenien e qytetarëve apo përmirësojnë kushtet e bizneseve në përgjithësi. Prandaj, ATK dhe Dogana kanë rolin e saj që të ulin informalitetin në përgjithësi në ekonomi, është e domosdoshme edhe mbikëqyrja e kuponëve fiskal, është pjesë e procesit për luftimin e informalitetit, mirëpo, ky nuk është hapi i vetëm që ATK duhet të ndërmerr në luftën ndaj informalitetit”, tha hulumtuesi Thaçi.

Ndryshe, në sezon të verës kur mbahen ahengjet e ndryshme nëpër restaurante dhe hotele në shumicën e rasteve nuk lëshohen kuponët fiskal, edhe pse kanë qarkullim të madh me mysafirë.

Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Valentina Bytyqi, theksoi për KosovaPress se Administrata Tatimore e Kosovës nga muaj prill ka nisur me aktivitetet shtesë gjatë orarit dhe pas orarit të punës për të verifikuar procesin e fiskalizimit, ku gjatë këtij aktiviteti esenciale ka qenë kontrollimi se sa është bërë instalimi i pajisjeve elektronike fiskale, sa po lëshohen kuponët fiskal nga bizneset, ku edhe është bërë konfiskimi i printerëve jo fiskal.

Bytyqi: Janë konfiskuar 143 printer jo fiskal

Video

“Gjatë këtij aktiviteti janë realizuar gjithsejtë 2 mijë e 681 vizita në tërë Republikën Kosovës, ku janë konstatuar disa shkelje, do të thotë 335 biznese nuk kanë instaluar arkat fiskale…Si dhe 638 arkave fiskale nuk u janë transmetuar të dhënat, çka do të thotë se arkat kanë funksionuar, mirëpo, të dhënat nuk janë pasqyruar, si dhe janë konfiskuar 143 printer jo fiskal”, tha Bytyqi.

Ajo tutje theksoi se ka raste të cila t lajmërohen nga konsumatorët përmes linjës online në ATK, se po lëshohen kuponë jo fiskal nga printerët jo fiskal që kanë bizneset. Ligji për Administratën tatimore parasheh edhe gjobat për të gjitha bizneset të cilat nuk i përmbushin dispozitat e parapara me legjislacion. Bytyqi tha se ATK ka lëshuar rreth 800 gjoba për ato biznese që iu kanë shmangur tatimit në vlerë prej mbi 100 mijë euro.

“Lëshohen gjoba mandatarë për mos përmbushje të obligimeve tatimore, në këtë rast edhe për mos lëshim të kuponëve fiskal. Kemi lëshuar gjoba, gjobat për mos lëshim të kuponëve fiskal sillen nga 150 deri në 1 mijë euro. Ligji parash edhe ndëshkimet të tjera të cilat maten, varësisht shmangieve që ia bërë ligjit…Nga aktivitete në terren për të parë se si është duke shkuar procesi i fiskalizimit janë lëshuar 782 gjoba”, theksoi Bytyqi.

Zyrtarë të ATK-së pohuan se në vazhdimësi do të jenë në terren, derisa të ketë një parametër matës se procesi i fiskalizimit është duke shkuar mbarë.

Deri më tani janë 31 mijë e 545 pajisje fiskale të instaluara në 24 mijë e 557 biznese. Ditë më parë edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti ka konstatuar se shkalla e informalitetit në vend është rreth 35 përqind. /KP

bizneser1

bizneset2

bizneset3