Aktuale

Bislimi krahason Qunin me Daçiqin

Fjalimi i deputetit të LDK-së Anton Quni, ka ngjallur debat në Kuvendin e Kosovës. Ishte deputeti nga radhët e PDK-së, Bislim Zogaj, i cili tha se fjalimi i Qunit, i ka ngjarë me atë të Daçiqit dhe shokëve të tij.

 

“Një koleg i joni Anton Quni ka folur, beso ma krijoi përshtypjen po flet Daçiqi, një shok i tij apo një shqiptar. Aq akuza të rënda, të paarsyeshme e të pabaza bëri dhe aq shumë foli për veten, thua se ishte Adem Jashari. Të bëjë asi akuza mu duk e pa arsyeshme. E tha dhe një tjetër, tha se do të rrijë në politikë për t’i realizuar kërkesat e tij. Më e sinqertë kishte me qenë nga ai po të thoshte se do të rri në politikë për t’i mbrojtur bizneset e mija në Prizren”, tha ai.

E akuza në adresë të Qunit kishte dhe deputetja Ganimete Musliu. Ajo tha se ka dëgjuar se Anton Quni së bashku me Adem Salihaj, janë dëshmitarë të Gjykatës Speciale. Ndërsa kërkoi dhe sqarim nga Quni për këtë.

 

“ Nuk dua të njollos as të bëjë krahasime, më së paku dua të bëjë krahasime me ata fqinjë tanë mbas kufirit. Sinqerisht befasia më e madhe e imja sot ka qenë me fjalimin e z. Quni….Ai ka fol sot mua më ka ardh kogja mundim. Po e them këtë sepse kur dola me pi kafe e pyeta njërin nga koleget e tij deputet të LDK-së, dhe i thash çka po ndodh me Antonin. Tha pse. S’du me ia përmend emrin. Thash pse me  gjithë këto akuza për luftën dhe prijësit e luftës. Tha mos u befaso se Anton Quni dhe Adem Salihaj janë dëshmitarë të Gjykatës speciale. Më vjen shumë keq por këtë se kisha prit dhe jam befasu shumë“, tha ajo.

Ndërkaq  Quni e demantoi atë çfarë tha Musliu, duke pohuar se kurrë nuk është thirrur në bisedë nga asnjë Gjykatë.

 

“Për të gjithë ata që po i ngrisin këto teori pa bazë, absolut pa bazë. Me ndërgjegjejn më të mahde  ethëm se kurrë nga asnjë institucion i drejtësisë vendore apo ndërkombëtare, nuk jam thirrë në bisedë apo çfarëdo formati të bisedës, si dëshmitar apo si i akuzuar”, tha ai.

Kurse, kryeministri Isa Mustafa, pas një debati që zgjati rreth katër orë, e që nuk u kursyen akuzat në adresë të tij, në fjalimin përmbyllës, nuk u mor me diskutimet që u bënë për të. Ai në fjalimin e fundit si kryeministër, tha se respekton jetën parlamentare dhe demokracinë dhe se Kuvendi i Kosovës, meriton të ketë njerëz që punojnë për interesa të vendit dhe t’i shtyejnë proceset përpara.

 

“ Unë nuk kam çfarë të them në mënyrë të veçantë. I dëgjova diskutimet dhe opinionet e juaja. Ne duhet të respektojmë jetën parlamentare, demokracinë parlamentare. Si shtet i ri duhet gjithmonë t’i nënshtrohemi vullnetit të qytetarëve dhe vullnetit të parlamentit. Ashtu siç vendos parlamenti do të jetë vendim meritor. S’dëshiroj fare të komentoj çfarë ndodhi si po bëhet, e kujt ishte iniciativa, kush kujt iu bashkëngjit. Edhe po votuan iu falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur dhe mendoj që ky parlament meriton të ketë njerëz që punojnë për interesa të vendit, që i qojnë proceset përpara ”, tha ai.

Deputetët rrëzuan Qeverinë me vota 78 për, 34 kundër dhe 3 abstenime./KP