Arsim & Kulturë

BIK:Ta ndihmojmë njëri-tjetrin

Bashkësia Islame e Kosovës ka uruar të gjithë besimtarët e fesë myslimane, festën e Kurban Bajramit, duke bërë ftesë që të jemi sa më human e solidarë, mëshirues e tolerant, duke ndihmuar njëri-tjetrin.

Zëvendëskryetari i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat Mexhiti, duke lexuar këtë urim, tha se festa e Kurban – Bajramit na sjellë mënyrën më të mirë për mësimet hyjnore për barazi, drejtësi, unitet, solidaritet, bamirësi e sakrificë, parime këto që bëjnë njerëzimin të reflektoj në të mirën dhe në atë që e do Krijuesi i gjithësisë.

 

“Në këtë ditë feste e gëzimi thërras të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të jenë më human e solidarë, më mëshirues e tolerant, të ndihmojmë njëri – tjetrin, skamnorët, jetimët, të vetmuarit dhe të gjithë ata që kanë nevojë. Njerëzimi duhet të kultivojë vlera për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të shëndosh, për një unitet dhe vëllazëri të mirëfilltë”, tha ai.

Ai duke lexuar urimin e Bashkësisë Islame, tha se festa e Kurban-Bajramit, përveç që reflekton adhurimin e krijuesit fuqiplotë, në vete ka edhe simbolikën e flijimit që të ne vjen nga koha e Ibrahimit a.s., e që për mision ka vlerat e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë, e mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë, sepse edhe flijimi i kurbanit që e bëjmë me këtë rast, nuk ka për qëllim vetëm derdhjen e gjakut por mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë.

 

“Duke falënderuar Zotin për të mirat që na ka dhënë në vendin tonë, ju ftoj që sa më shumë ta kujtojmë Krijuesin dhe të jemi sa më solidarë ndaj njëri – tjetrit. Në prag të  festës së Kurban-Bajramit më lejoni që edhe një herë t’ju urojë të gjithëve shëndet, lumturi, begati, mbarësi, harmoni, dashuri dhe paqe për mbarë njerëzimin. Me fat Kurban Bajrami”, tha ai.

Kurban-Bajrami vjen pasi besimtarët  kryejnë Haxhin dhe therin Kurbanin. Në Haxh besimtarët shprehin në mënyrën më të mirë barazinë e unitetin që kryhet në një atmosferë krejt të veçantë, me norma të veçanta,  në kohë të caktuar dhe në vende të caktuara, ku dominon respekti e dashuria, ndërmjet të gjithëve, ku shfaqet përkushtimi ndaj Allahut xh. sh., dhe ku shprehët solidariteti mes njerëzve të vendeve e etnive të ndryshme. Sot miliona haxhilerë ditën e kalojnë në Arafat duke lutur Zotin dhe  duke shprehur përkushtimin ndaj tij, e në këtë vend të bekuar janë edhe haxhilerët nga trevat tona, për të cilët lutemi që Zoti t’ua pranoj Haxhin dhe ibadetet e tyre./KosovaPress/