Bashkësia Islame e Kosovës e konsideron si lëshim të saj rastin e lajmërimit të vdekjes së militantit famëkeq të grupit Shteti Islamik [IS], Lavdrim Muhaxheri, që ishte bërë në xhaminë e qytetit të Kaçanikut.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik, pati shfrytëzuar xhaminë e qytetit dhe mikrofonët në minaren e saj për të njoftuar komunitetin për vdekjen e Lavdrim Muhaxherit.
Në xhami, po ashtu ishin dhënë njoftimet, në emër të familjes së tij, për ata që donin të shprehnin ngushëllimet e tyre.
Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në rastin e lajmërimit të vdekjes së Lavdrim Muhxherit nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame ka qenë një rast unik i pa ndodhur më parë.
“Në rastin e Lavdrim Muhaxherit ka qenë një rast unik. Nuk kemi pasur raste të tilla më herët dhe njoftimi për të është bërë si i përgjithshëm. Është bërë një lëshim në këtë rast që besoj se në të ardhmen do ta rregullojmë. Nuk besoj që në të ardhmen në raste të tilla të bëhet një njoftim i tillë, do ta rregullojmë edhe këtë çështje. Nuk do të përsëriten rastet e tilla”, ka thënë Sadriu.
Ai ka treguar se është traditë e besimtarëve të besimit islam që rastet e vdekjes t’i lajmërojnë në xhami, në këtë rast në Këshillin e Bashkësisë Islame.
“Zakonisht në xhami shkojnë tek imami dhe është traditë që kërkohet të njoftohet xhemati nëpërmes një thirrje që quhet sallë apo ‘temxhid’, që i njofton të gjithë qytetarët që ka një rast vdekje dhe për të marrë pjesë në varrim. Kjo është traditë e kahershme”, thotë Sadriu.