Aktuale

Bie ashensori, QKUK-ja dhe kompania për mirëmbajtje tregojnë se a pati të lënduar

Një defekt i ashensorit në Klinikën e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka tmerruar personat që kanë qenë në këtë klinikë në çastin e rënies. Zyrtarë të QKUK-së dhe nga kompania për mirëmbajtje, tregojnë çfarë ndodhi dhe a kishte persona të lënduar.

Qytetarë që kanë rastisur të jenë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, respektivisht në Emergjencë kanë treguar për FaktePlus se ashensori ka rënë nga kati i katërt dhe se në lift kishte shumë persona.

Mirëpo, zyrtarë nga QKUK-ja thonë se bëhet fjalë për një defekt që ka ardhur për shkak të mbingarkesës së ashensorit, por që fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë person të lënduar.

Njëjtë e thotë edhe menaxheri i kompanisë EJONA, Adem Shala, kompani kjo e cila mirëmban ashensorët në QKUK.

Ai ka thënë për FaktePlus se ka pasur prishje teknike të ashensorit, i cili është ndalë mes katit të dytë dhe tretë 2.

“Lifti ka pësuar prishje teknike nga mbipesha. Është prish një llager dhe për shkak të kësaj, lifti është ndalur mes katit 3 dhe 2, por që nuk ka lëndime në njerëz”, ka treguar Shala.

Mësohet se në kohën kur ka ndodhur defekti në ashensor kanë qenë 11 persona, në mesin e tyre 3 fëmijë.

Fillimisht për renien e ashensorit kanë treguar qytetarë që kanë rastisur të jenë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, respektivisht në Emergjencë.

Ata pohuan për FaktePlus se ashensori ka rënë nga kati i katërt dhe se atje kanë shkuar edhe Policia e Kosovës./FaktePlus