Në shumë vende të botës, por edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni sot festohet dita e Fitër Bajramit.
Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, “Sulltan Mehmet Fatih”, ku ishin të pranishëm edhe një numër i madh i qytetarëve për falje të namazit.
Hytbenë e ka mbajtur myftiu i Kosovës Naim Tërnava, i cili iu është drejtuar opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë.
Tërnava dha mesazh për besimtarët që ta duan më shumë Kosovën, dhe të kujdesën për vendin e tyre, për të cilin u dha shumë gjak.
Myftiu dha kritika edhe për grupet që po terrorizojnë botën në emër të fesë myslimane.
Rastet e tmerrshme që po terrorizojnë botën janë akte barbarë dhe larg çdo tolerance e mësimi që na ka dhënë Kurani, tha myftiu Tërnava. “Islami është kundër çdo vrasje e terrori ndaj çdo natyre nëpër botë. Kjo që po ndodh nuk është asgjë nga Islami”, tha ai.
I pari i Bashkësisë Islame në Kosovë, tha se duhet ruajtur e kujtuar sakrifica e të gjithë atyre që dhanë jetën për Kosovën.
“Trojet tona etnike shqiptare duhet t’i ruajmë si sytë e ballit, Kosovën tonë për të cilën u derdh gjak shumë që ne sot të jemi të lirë”, tha Tërnava.
Ndërkohë sot gjatë ditës, pritët që liderët politik dhe diplomatë të ndryshëm, t’i bëjnë vizitë myftiut Tërnava për t’i uruar festën e Fitër Bajramit.
Me rastin e festës së Fitër Bajramit edhe redaksia e Gazetës KNN ju uron shëndet dhe begati në familjet tuaja.