Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha ka takuar shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, Ljubomir Batary.
Në takim u bisedua për aktualitetin politik dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë si dhe për angazhimin e dy institucioneve të të dyja vendeve për gjetjen e mundësive dhe fushave të bashkëpunimit me interes.
Berisha e falënderoi diplomatin sllovak për kontributin që ka dhënë Sllovakia në kuadër të KFOR-it për FSK-në, njofton Klan Kosova.
Po ashtu e njoftoi atë mbi zhvillimin e FSK-së, profesionalizimin, integrimin e komuniteteve dhe grave si dhe për gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar, me kapacitete të veçanta specialistike, në të mirë të paqes së përgjithshme kudo ku ka nevojë.
Berisha në pika të shkurtra shpalosi ecurinë e aktiviteteve rreth transformimit të FSK-së, duke ripërsëritur faktin se transformimi do të jetë transparent, i koordinuar dhe do të bëhet me konsensus të plotë të faktorit të brendshëm politik.
Batary e konfirmoi gatishmërinë e shtetit sllovak për mbështetjen e Kosovës në shumë fusha, duke qenë se Sllovakia e konsideron Kosovën si vend mik:
“Qëllimi ynë është fleksibil dhe pragmatik, që të ndihmojmë Kosovën që të mos mbetet prapa’’, -tha ai.