Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00, do të shpalosë platformën e saj për një Kosovë ndryshe. Në një tubim mospajtues ndaj gjendjes së krijuar tash e disa vite në Kosovë, lideri i këtij subjekti, Ramush Haradinaj do të bëjë shpalosjen e projektit, siç e quan ky subjekt, projekt i cili e nis Kosovën.
Sekretari organizativ i Aleancëc për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha dhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, në emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit, ka shpalosur detaje të platformës.
“Është koha që Kosova të niset, është koha që gjërat të ndryshojnë. Populli e ka humbur shpresën. Vendi ka probleme në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në rend dhe ligj. Shihet qartë se rinisë kosovare i ka humbur motivi dhe jo pa të drejtë. Andaj nisur nga ky realitet, AAK ka përgatitur një platform të cilën lideri i saj, Haradinaj sot do të shpalos para qytetarëve e Brenda të cilës, me fakte, me shifra dhe me shembuj konkret ofrohet alternativa që do ti lëvizte gjërat pozitivisht”, deklaroi Berisha.
Berisha i AAK-së duke u ndalur tek platforma e sotme dhe çështjet e munguara të rendit dhe ligjit, ka folur edhe për murin në veri të Mitrovicës.
Ai ka theksuar se muri, si i tillë duhet rënuar urgjentisht nga institucionet e Kosovës, meqë edhe ka ardhur aty, pa lejen e institucioneve.
“Ato çfarë janë pengesa për qytetarët, siç na doli tani muri, duhen të largohen dhe eliminohen. Kosova, institucionet nuk guxojnë të lënë çështje të tilla të hapura. Gjendja në terren duhet të kthehet siç ishte, pa atë mur, sepse edhe pa murin Kosova ka telashe serioze në atë pjesë të territorit”, ka shtuar Ali Berisha.