Kuvendi i Kosovës ka nisur sot, një seancë të jashtëzakonshme mbi ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në Francë mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri nga foltorja e Kuvendit u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen për lirimin e kreut të AKK-së, Ramush Haradinaj i cili u arrestua para disa ditëve në Francë.
“Kjo seancë e sotme duhet të jetë si mbështetje për zotin Ramush Haradinaj. Kjo seancë nuk duhet shfrytëzuar për sharje dhe fyerjes sepse kështu ne nuk i ndihmojmë. Të tregojmë kulturë edhe pjekuri politike. Ne kemi raporte jo të mira vetëm më shtetin serb, shkaku i veprimeve të tyre anti evropiane dhe anti demokratike. Në raport me Serbinë duhet të mbajnë veprimin ton të vendosur se jemi shtet sovran. Serbia nuk duhet të ketë iluzion se mund të luajnë me sovranitetin tonë. Inkurajomë qeverinë që të bëjë çdo gjë që është në dorë që ta kthejë Haradinajn në Kosovë.”, ka thënë Beqiri./GazetaExpress/