Aktuale

Beqiri: Rinumërimit s’ka nevojë t’i frikësohet asnjë subjekt politik

LDK ende beson se do të rikthehet rezultati në Prishtinë dhe kandidati i saj Arban Abrashi do të udhëheq me kryeqytetin. Për këtë, sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri, theksoi se kanë kërkuar rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në Prishtinë.

Në një konferencë për media, Beqiri ka numëruar disa arsye pse duhet rinumëruar të gjitha vendvotimet.

Sipas tij, një procesi të tillë nuk duhet t’i druhet askush, madje, as kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Beqiri theksoi se rinumërimi vetëm sa do të legjitimonte akoma më shumë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve cilido qoftë ai dhe do të rriste besueshmërinë e qytetarëve tonë në procesin zgjedhor.

“Për shkak të rezultatit të ngushtë në mes të kandidatëve për kryetar në komunën e Prishtinës; për shkak të disa gabimeve në përshkrimin e votave të kandidatëve sikur në rastin e djeshëm; për shkak të numrit të madh të votave të pavlefshme, mbi 600 (ndërkohë që procesi i votimit është shumë i thjeshtë); për shkak të numrit të madh të fletëvotimeve të zbrazëta, rreth 500; ka kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë rinumërimin e gjitha kutive të votimit në Komunën e Prishtinës”, tha Beqiri.

Po ashtu, LDK sipas Beqirit kërkon edhe nga organet kompetente të drejtësisë që të analizojnë dhe shqyrtojnë raportimet e mediave për organizimin e transportit përmes veturave për qytetarët votues në Komunën e Prishtinës, të kamufluar si OJQ, e në këmbim të votës për kandidatin e VV-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Sepse, sipas tij, ky është një veprim i cili ka më shumë se një element të veprës penale të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Ndërsa, duke folur për votat me kusht dhe ato me postë, Beqiri paraqiti shqetësimin e tyre se votat me postë janë porositur nga partitë të caktuara, sidomos për Istogun. Ai tha se nuk i druhen rikthimit të rezultatit në këtë komunë, porse votave të porositura.

“Ne nuk i druajmë rezultatit, por i druajmë asaj mundësisë së falsifikimit ose të kryerjes së këtyre votimeve me porosi nga qarqe të caktuara. Ju e keni parë edhe vet është e grabitshme se si sot dalin dhe thonë se do ta përmbysim sepse ato vota janë tona, ku po e dinë se janë votat e tyre, nëse s’i ke porositur nuk ke qysh ta dish, sepse votimi është i fshehtë dhe në kuti ose janë në post pa ardhur ende”, theksoi ai.

Beqiri tha se në rastin e Prishtinës, Istogut e Dragashit, edhe në të gjitha rastet tjera eventuale, LDK do të ndjek të gjitha rrugët ligjore në të gjitha instancat e drejtësisë në Kosovë, që nga PZAP-i e deri tek Gjykata Kushtetuese, me qëllim, korrektimin e procesit zgjedhor në secilin rast që faktet dëshmojnë tendencën e subjekteve apo të kandidatëve të tyre për të shtrembëruar vullnetin e lirë të qytetarëve.

Ai tha se dega që ai udhëheq ka ndihmuar me së shumti me vota kandidatit të tyre Arban Abrashi, ku 60 për qind janë vota për Abrashin. /KP