Ministrja e Drejtësisë e Serbisë, Nela Kuborovic, tha sot se nga Belgjika nuk ka arritur kërkesa për ekstradimin e Veselin Vukotic, Andrija Draskovic dhe Bozhidar Spasic, të shpallur fajtor për vrasjen e aktivistit të Kosovës, Enver Hadri.
Gjykata belge ka shpallur fajtor Veselin Vukotic, Andrija Draskovic dhe Bozidar Spasic, për vrasjen e aktivistit nga Kosova për të drejtat e njeriut, Enver Hadri, në shkurt të vitit 1990, raporton gazeta belge L’Avenir.
Ndërsa Novosti nga Beogradi jep një deklaratë të ministres serbe të drejtësisë, Nela Kuborovic, në lidhje me kërkesën per ekstradim. “Deri tani nuk ka arritur kërkesa prej kolegëve nga Belgjika. Nëse na drejtohen, ne patjetër do të veprojmë”, tha Kuburovic.
Ajo shtoi se nuk ekziston ndonjë marrëveshje në mes të Serbisë dhe Belgjikës për ekstradimin reciprok të të dënuarve por se Belgjika ka të drejtë të kërkojë që të dënuarit të vuajnë dënimet e tyre në Serbi, përkatësisht që shteti të njohë vendimin ndërkombëtar të gjykatës.
Gjykata në Belgjikë dënoi Veselin Vukotic dhe Andrija Draskovic si autorë të drejtpërdrejtë të vrasjes, ndërsa Bozidar Spasic e shpalli urdhërdhënës pasi në kohën e krimit ishte inspektor kryesor i shërbimit sekret jugosllav, shkruan gazeta belge.
Hadri (49), Kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u vra më 25 shkurt të vitit 1990 në komunën e Brukselit të Saint-Gilles në makinë, derisa ishte duke pritur para semaforit./GazetaExpress/.