Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka përshëndetur zgjedhjen e kryetarit të kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, si hap i parë dhe i domosdoshëm për vënien në funksion të sistemit legjislativ në vend dhe formimin e qeverisë së re reformuese.
Urimi i BDI-së:
Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit te Republikës së Maqedonisë z. Talat Xhaferi si hap i parë dhe i domosdoshëm për vënien në funkcion të sistemit legjislativ në vend dhe formimin e qeverisë së re reformuese.
BDI dënon dhunën e ushtruar mbi deputetët e zgjedhur nga një turmë e shfrenuar dhe shtron pyetjen ku ishin institucionet përkatëse për mbrojtjen e rendit dhe ligjit, andaj kërkojmë që të merren masat përkatëse kundër të gjithë atyre që dështuan në ushtrimin e detyrave të tyre zyrtare përfshi këtu edhe ata zyrtar nga rradhët e MPB-së, në zingjirin e komandës që refuzuan urdhërat e ministrit të punëve të mbrendshme.
Kërkojmë nga të gjitha palët, përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në të kontribuojnë në tejkalimin e situatës së krijuar dhe të dënojnë zëshëm e pamëdyshje aktet e dhunshme e të përgjakshme në hapësirat e organit më të lartë të pushtetit.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe vecmas shqiptarëve dhe elektoratit besnik të BDI-së që të jenë të matur dhe të ruajnë gjakftohtësinë, të mos bëhen pre e këtyre akteve qyqare në parlament.
Poashtu shprehim indinjatën tonë edhe me veprimet e lexueshme të disa deputetëve që me sjelljen e tyre në stilin, provoko, nxit dhe ik, bën që zhvillimet e mbrëmshme të përshkallzohen edhe më.
Kryesia e BDI-së solidarizohet me të gjithë deputetët që pësuan, vecmas urojmë që z. Ziadin Sela të rikthehet sa më parë ne jetën parlamentare e politike.