Aktuale

BDI dhe VMRO vazhdojnë konsultimet për qeverinë

Kur i kanë mbetur edhe gjashtë ditë nga përfundimi i mandatit për formimin e Qeverisë së re, VMRO-DPMNE-ja shpreson që pikërisht parimi i fituesit me fituesin, të jetë shtysë që ta dërgojë këtë parti edhe në një mandat tjetër bashkëqeverisje me BDI-në.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se gjatë ditëve të ardhshme priten takime të tjera mes Gruevskit dhe Ahmetit. Megjithatë ata bëjnë me dije se negociatat kanë ngecur në çështjen e gjuhës dhe Prokurorisë Speciale dhe mohojnë të kenë lëshuar pe për përdorimin e dygjuhësisë në të gjithë territorin që do të nënkuptonte ndryshim të Kushtetutës. Në takime, nuk është diskutuar për ndarjen e posteve të rëndësishme, përfshirë edhe postin e kreut të Kuvendit.

“Për momentin ka një parim të përbashkët i cili ka mbështetjen e të dy palëve dhe kjo është që koalicioni të formohet në pajtim me vullnetin zgjedhor të votuesve dhe partitë që kanë fituar besim më të madh te mbështetësit e tyre dhe vlerësoj se kjo pikë e vogël e përbashkët të mund të jetë e dobishme gjatë bisedimeve. Për momentin nuk ka bisedime sa u takon posteve, flitet për përmbajtjen e çështjeve të caktuara konceptuale ku ka qëndrime të kundërta por në ditët e ardhshme shpresoj se do të hapen edhe bisedime në aspektin e posteve të mundshme – deklaroi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE”, tha ai.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev, nga ana tjetër njoftoi se shumë shpejt do të shpalosë qëndrimin e partisë së tij për formimin e Qeverisë së re dhe për platformën e përbashkët të partive shqiptare. Zaev tha se shpreson se Gruevski nuk do të mund të formojë qeveri dhe pas të dielës, mandati do t’i kaloi atij.

“Unë sinqerisht shpresoj se pas datës 29, mandati do të jetë në duart tona për shkak të të gjithë argumentimeve që opinion i di dhe kjo është që shumica e qytetarëve, mbi 670 mijë zgjodhën ndryshime. Kemi shumë për të thënë për platformën e partive shqiptare, kemi qëndrimin tonë. Ata e kanë publikuar platformën me një qëllim konkret që ta dëgjojë mandatari. Mandatar është Gruevski. Ne këtë do ta bëjmë shumë shpejt sepse këtë e pret opinioni”, u shpreh Zoran Zaev.

Pas takimeve që javën e kaluar kreu i BDI-së me Ali Ahmeti zhvilloi me Nikolla Gruevskin dhe Zoran Zaevin,  BDI akoma nuk ka realizuar mbledhje të kryesisë së partisë, për të njoftuar anëtarët me detajet e takimeve. Partia e Ahmetit, së fundmi është deklaruar për opsionet për dalje nga situata midis të cilave është edhe respektimi i parimit “fituesi me fituesin”.