Aktuale

BDI demanton se ka pasur takim me VMRO-në për formimin e qeverisë

Bashkimi Demokratik për Integrim ka përgënjeshtruar zërat se kinse zyrtarë të lartë të kësaj partie mbrëmë janë takuar me funksionarë të VMRO-DPMNE-së për të filluar negociatat për formimin e qeverisë.

Nga kjo parti për Zhurnal thonë se janë të pavërteta lajmet që u plasuan sot në disa media se kinse kanë filluar bisedimet mes dy partive për formimin e qeverisë.

BDI u bënë apel mediave që të mos e dezinformojnë opinionin me lajme të pavërteta dhe se në atë moment që të fillojnë negociatat nga kjo parti thonë se do ta informojnë opinionin e gjerë dhe se bisedimet për formimin e qeverisë do të jenë transparente dhe se shqiptarët do të përfaqësohen në qeverinë e ardhëshme si komb me një qëndrim.

“Nuk ka komunikim me asnjë parti politike në lidhje me cilën do fazë të procesit zgjedhor e as për bashkpunime të mundshme në të ardhmen. Presim rezultatet finale nga KSHZ pastaj do ndërtojmë qendrim në parti sa i takon bashkëpunimeve eventuale. BDI si fituese e zgjedhjeve do të përfaqësoj të gjithë shqiptarët në qeverinë e ardhëshme duke përfaqësuar një komb një qendrim”, kanë deklaruar për Zhurnal nga qendra për komunikim pranë Bashkimit Demokratik për Integrim .

Sot në disa media u publikua lajmi se kinse mbrëmë në një lokal në Shkup, BDI larg syve të opinionit ka filluar kontaktet e para me VMRO-DPMNE-në lidhur me formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.