Grupet e dhunshme kriminale shqiptare kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të trafikut të drogës në tregun e Britanisë së Madhe, thuhet në një raport të zbatimit të ligjit.
Në një intervistë për BBC, Matthew Horn nga Agjencia Kombëtare e Krimit është shprehur se organizatat e krimit shqiptar janë të vogla në numër, por kanë një ndikim të madh në këtë vend.
Sipas tij, ata kanë arritur të marrin nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të tregut të jashtëligjshëm të trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në vendin ishullor.
“Po flasim për organizatat kriminale shqiptare. Janë grupe të vogla në numër, por të mëdha në impaktin që ato kanë. Kemi një emergjencë në rastet e dhunës, dhe më specifikisht në tregtinë e jashtëligjshme të drogës. Kemi pasur edhe ne kundërpërgjigjen tonë ndaj tyre me ndihmën e partnerëve. Kemi çështje gjyqësore të dërguara në organet kompetente si dhe sasi parash të konfiskuara. Ajo që na shqetëson është dhuna që po sjell në vendin tonë trafiku i drogës nga këto grupe”, tha Horn.
Ai thekson se organizatat kriminale shqiptare merren kryesisht me shitjen e kokainës dhe se janë kthyer në një problem serioz.
Në artikullin e BBC-së nënvizohet gjithashtu se nuk mbeten prapa as grupimet serbe dhe turke, të cilat zotërojnë logjistikën e nevojshme për të trafikuar kokainën në rrugë detare. Ndërsa grupet turke dhe pakistaneze “vazhdojnë të mbizotërojnë trafikimin e heroinës në Britani të Madhe”.