Menaxheri Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, ka rikonfirmuar gatishmërinë e Bankës Botërore për mbështetjen e mëtejmë të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Kosovë, përmes projekteve konkrete në kuadër të Strategjisë së për Kosovën.
Këto komente ai i bëri gjatë takimit me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ku u ka bisedua për programet e ministrisë, për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural në përgjithësi, si dhe për format e bashkëpunimit të mëtejmë në fushën e bujqësisë.
Ministri Krasniqi theksoi se MBPZHR-ja është e gatshme që të bashkëpunojë me BB-në edhe në të ardhmen për realizmin e shumë projekteve tjera.
Sipas një komunikate për media, gjatë këtij takimi ai ka marrë mbështetjen për realizimin e projekteve konkrete për avancimin e bujqësisë në kuadër të Strategjisë së Ardhshme të BB-së për Kosovën, me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik në vend.
Nga ana tjetër, menaxheri i BB-së, Marco Mantovanelli, vlerësoi zhvillimet e deritashme në avancimin e sektorit të bujqësisë në vend.
Të dy u pajtuan se suksesi i deritashëm i projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, që zbatohet nga MBPZHR dhe BB, duhet të jetë bazë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe financimin shtesë për këtë projekt të rëndësishëm./KosovaPress/