Aktuale

Bayern me fitore nis mbrojtjen e titullit (Foto)

Kampioni i Gjermanisë në futboll Bayern Munchen sezonin e ri të Bundesligës e filloi me fitore kundër Bayer Leverkusen në terrenin vendës me rezultat 3:1.

Kjo njëherësh ishte edhe ndeshja e parë në sezonin e ri në Bundesligë.

Bayern rrugën për mbrojtjen e titullit e nisi fuqishëm dhe pas vetëm njëzet minutash lojë erdhi në epërsi prej 2:0, ndërsa golat i shënuan futbollistët, të cilët gjatë këtij afati kalimtar erdhën në skuadër.

Fillimisht Sule, pas harkimit të Rudy, solli në epërsi ekipin e Carlo Ancelottit për 1:0 në minutën e nëntë.

Dhjetë minuta më vonë pas asistimit të Vidal, rrjetën e tundi përforcimi i kësaj vere në radhët e bavarezëve, Tolisso.

Kjo ishte hera e parë që pas vitit 2007 golat për Bayern t’i shënojnë dy lojtarë debutues, transmeton KosovaPress.

Më herët këtë e kanë bërë Toni dhe Klose kundër Hansa Rostock në fitoren prej 3:0. Përfundimi i pjesë së parë u karakterizua me një shi të fuqishëm, për shkak të të cilit 45 minutat e dyta të takimit filluan me vonesë prej dhjetë minutash.

Bayern pas vetëm tetë minutash lojë në vazhdimin e pjesës së dytë shënoi edhe golin e tretë përmes Lewandowski nga penalltia në minutën 53. Penalltia u referua pas reaksionit të video asistentit. Golin e vetëm për Bayer Leverkusen e shënoi Mehmedi në minutën 65 për rezultatin përfundimtar 3:1.