Aktuale

Baxhaku premton programe konkrete për Prizrenin

Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Prizrenit, Hatim Baxhaku, është zotuar se gjatë qeverisjes së tij në mandatin e ardhshëm do të ketë një shkëputje nga, siç u shpreh, keqqeverisja për një dekadë në këtë komunë, të cilës ai do t’ia kthejë dinjitetin që meriton përmes programeve konkrete në të gjitha segmentet e jetës.

Ai gjatë fushatës elektorale të LDK-së në Prizren ka akuzuar qeverisjen aktuale të PDK-së se për më se dhjetë vjet ka keqqeverisur në çdo segment të jetës, ndërsa është zotuar se me ardhjen e tij në pushtet do të ndryshojë një qasje e tillë e të qeverisurit.

“Kemi programin konkret, i cili nuk është program dëshirash, as premtime boshe elektorale, por është një mundësi reale dhe gatishmëri për kthesa radikale politike, shoqërore dhe ekonomike, sociale e kulturore në punën e Prizrenit. Është shkëputje me një qeverisje shkatërrimtare që ka sunduar gjatë dhjetë viteve të shkuara ku çdo segment i pushteti ishte uzurpuar nga përfaqësuesit e partive në pushtet, të klaneve dhe të familjareve duke mos treguar fare kujdes për qytetarët”, ka thënë Baxhaku.

Ai ka thënë se gjatë qeverisjes së tij do të angazhohet për funksionimin e ligjit dhe do të jetë transparent me paranë publike, pasi që LDK nuk është parti e lidhjeve familjare, klanore e mafioze.

Baxhaku tha se programi i tij do të zbatohet së bashku me qytetarët dhe shoqërinë civile, për ndryshime në të gjitha fushat, si arsim, shëndetësi, turizëm, politika sociale, infrastrukturë dhe siguri, ku synimi kryesor mbetet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai ka kërkuar nga qytetarët votën e tyre më 22 tetor, të cilën tha se do t’ua shpërblejë me punën e mirë dhe duke plotësuar nevojat e tyre si banorë të komunës së Prizrenit, duke thënë se fitoja është e LDK-së.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka shprehur besimin se partia që ai drejton do të fitojë në komunën e Prizrenit, për të cilën tha se tash e një dekadë është keq qeverisur nga PDK-ja.

“Unë jam i bindur se Prizreni duhet t’i kthehet LDK-së, se LDK-ja do t’i kthehet Prizrenit, sepse është kjo forcë politike, e cila siguron dhe garanton që ky qytet përfundimisht të qeveriste mirë. Është vonë një dekadë e qeverisjes së keqe të Prizrenit. Ne do t’i japim shansin qytetarëve të Prizrenit për një qeverisje të drejtë, të shëndosh, e cila ofron ardhmëri dhe prosperitet për të gjitha gjeneratat”, ka thënë Mustafa.

Me këtë rast janë prezantuar të gjithë kandidatët për asamblistë të LDK-së për Kuvendin Komunal, për të cilët u tha se janë njerëz me përvojë dhe njerëzit më të mirë të Prizrenit. /KosovaPress/