Lideri i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Bashës pas votimit në Tiranë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në Shqipëri që të dalin dhe të votojnë pasi vetëm nëpërmjet votës mund ta ndryshojnë vendin dhe jetën e tyre.
Basha tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme për Shqipërinë është dita kur vendosin me votë, është dita kur merret vendimi nga qytetarët për qytetarët.
Basha: Vetëm përmes votës mund të ndryshohet Shqipëria
“Mos mungoi në këtë vendimmarrje të madhe. Ejani dhe hidheni votën tuaj! Vetëm përmes votës dhe votimit mund të ndryshohet Shqipëria. Vetëm përmes votës dhe votimit mund të ndryshoni jetën tuaj. Në veçanti këtë mesazh e kam për qytetarët e zhgënjyer, ata që me të drejtë ndihen të braktisur nga politika dhe që nuk shohin shpresë për veten e tyre, për familjet e tyre në vendin e tyre, në Shqipërinë tonë. Ky është rasti, kjo është mundësia të bëni diçka për të ndryshuar vendin. Vetëm me votë, vetëm me votën tuaj mund të ndryshoni Shqipërinë, vetëm me votën tuaj mund të ndryshoni jetën tuaj. Ndaj mos mungoni në kutitë e votimit. Dita është e nxehtë por është dita kur ju do të vendosni në katër vitet e ardhshme për veten tuaj dhe familjet tuaja”, tha ai.
Ai ka garantuar të gjithë komisionerët, numëruesit, të gjithë infrastrukturën zgjedhore për mbështetjen e tij dhe të Partisë Demokratike për një proces sa më të mbarë, si dhe i ka bërë thirrje personelit, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore të jenë në lartësinë e detyrës për zbatimin e plotë të ligjit./KosovaPress/