“Qeveria Rama 2 ka fshirë nga programi çdo premtim që u dha shqiptarëve. 220 mijë vendet e punës kanë avulluar, paga minimale 300 mijë lekë ka avulluar rritja e pensioneve dhe shpërblimet kanë avulluar. Kështu që kur tallet me gjakpirjen e shqiptarëve ta dijë se gjakpirja nuk është një metaforë; Rama 1 u ka marrë shqiptarëve 1,5 miliardë dollarë sipas shifrave zyrtare të institucioneve publike, para që janë abuzuar shpërdoruar dhe vjedhur”.
Kështu ka deklaruar kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Sipas kreut të opozitës, qeveria e re nuk do të ndryshojë asgjë, derisa thekson se gjërat mund të shkojnë edhe më keq sidomos në fushën e papunësisë dhe shendetësisë.
“Për shqiptarët çdo ditë që kalon bëhet më e qartë se asgjë nuk ka ndryshuar. Gjërat do të shkojnë keq e më keq sa kohë që vendi të qeveriset nga Edi Rama me një kabinet fasadë, që është bërë si agjenci ekskursionesh. Dhe prapa kësaj fasade do të vazhdojë vjedhja e shqiptarëve, do të vazhdojë gjakpirja, do të thellohet papunësia, shëndetësia në kolaps, arsimi në ditën më të zezë. Ndaj detyra jonë kryesore është të mobilizojmë të gjitha forcat tona brenda dhe jashtë asaj salle, jo vetëm me demokratët por me gjithë shqiptarët e ndershëm”, thekson Basha./KosovaPress/