Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se Qeveria Rama është tërësisht e paralizuar për shkak të situatës së krijuar në vend nga zbulimi i lidhjeve të saj më trafikun ndërkombëtar të drogës.
Ai në takimin me zëvendësministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart, tha se nga kultivimi i kanabisit në Shqipëri po kalohet te trafikimi i heroinës dhe kokainës dhe pastrimi i parave në fusha të caktuara të ekonomisë, si ndërtimi dhe projektet PPP.
Basha tha se emigrimi rekord i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian është pasojë e zhgënjimit nga qeverisja, e cila përfaqësohet në çdo nivel me njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar.
“Bashkimi Evropian nuk mund ta injorojë këtë problematikë, pasi i rrezikohet kredibiliteti”, tha ai.
Sipas tij, shembja e lidhjeve të krimit me politikën është urgjencë kombëtare për të ndalur marshimin e krimit të organizuar në qeverisje dhe ekonominë e vendit dhe për të rikthyer legjitimitetin e qeverisjes.
“PD beson se realizimi i reformës zgjedhore, duke përfshirë sistemin elektronik të votimit, është një nga mënyrat për të dalë nga kriza dhe për të kthyer besimin tek njerëzit”, tha Basha.
Ndërsa, zëvendësministri austriak Linhart i shprehu zotit Basha mbështetjen e plotë të vendit të tij për zbatimin e reformave dhe arritjes së rezultateve konkrete.
Ndryshe, në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, Austria do të marrë Presidencën e Bashkimit Evropian.