Aktuale

Basha: NATO dhe BE të garantojnë kufij të pandryshueshëm dhe stabilitet në rajon

Kryetari i Partisë Demokratikenë Shqipëri, Lulzim Basha, i ka kërkuar Qeverisë të tregojë më shumë përkushtim për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.

Nisur nga zhvillimet e 48 orëve të fundit që lidhen me provokimin për hyrjen në territorin e Kosovës të trenit që nisej nga Beogradi, lideri i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, ka kërkuar që Tirana zyrtare të hapë sytë ndaj këtyre provokimeve.

“Në emër të PD, dhe në emrin tim, dua të dënoj pa asnjë ekuivok këtë sjellje provokative me tone destabilizuese të Beogradit dhe autoriteteve më të larta të tij. Përtej sezonit elektoral që sapo është hapur në Serbi, sjellja dhe gjuha e Beogradit sjell në vëmendje aktet destabilizuese dhe kërcënuese për paqen dhe sigurinë në rajon dhe qëndrime të vjetra të tejkaluara bashkë me regjimin e Slobodan Milosheviçit”, thuhet në komunikatën e dërguar nga zyra për media e PD-së.

Basha ka shprehur mbështetjen e plotë për autoritetet e Kosovës, përfshirë policinë, njësitë speciale dhe qytetarët e Kosovës. “Kjo është një sprovë dhe provokim edhe për NATON edhe për BE”, ka thënë lideri i demokratëve të Shqipërisë. Ndër të tjera, Basha në letrën dërguar mediave shkruan edhe këto deklarime:

Kërkoj dhe mbështes një reagim të qartë e të prerë që konfirmon përkushtimin e NATO-s dhe BE ndaj një Ballkani në paqe, me kufij të pandryshueshëm dhe një stabilitet që mund të burojë vetëm përmes marrëdhënieve të mira dhe miqësore me njëri tjetrin. Incidenti dhe provokimi me trenin, gjuha që pasoi, përdorimi i një fletëarresti të vjetruar dhe të pa vleftësuar nga drejtësia ndërkombëtare ndaj Ramush Haradinaj dhe fillimi i ndërtimit të një muri në Mitrovicë, janë pjesë e një plani të mirë përgatitur, i cili shkon përtej propagandës dhe përtej kalkulimeve të politikës së brendshme.

Përgjigja i takon në radhë të parë shtetit dhe institucioneve të Kosovës dhe këtu partitë politike shqiptare duhet të bashkojnë njëzëri qendrimet, Shqipëria do të jetë njëzëri në mbështetje të Republikës së Kosovës, qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. Por ky plan i mirë përgatitur i cili cenon dhe rrezikon seriozisht jo vetëm integritetin territorial dhe politik të Republikës së Kosovës por edhe stabilitetin rajonal, kërkon një përgjigje të mirë përgatitur nga të gjitha palët, interesat e të cilëve preken nga destabilizimi i Ballkanit Perëndimor. NATO, BE dhe padyshim Shqipëria si shtet fqinj i Kosovës, si shtet me interesa të qarta kombëtare për mbrojtjen e drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë dhe si anëtarë e NATO-s.

Kjo përgjigje do të përshkallëzohet, përgatitet dhe të shpaloset në të gjitha rrafshet e në veçanti në rrafshin diplomatik dhe në atë të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Është e pamjaftueshme që reagimi i Shqipërisë zyrtare të kufizohet me deklarata për shtyp apo akoma më keq deklarata në Facebook.

Dua të theksoj se momenti nuk është për t’ju rikthyer lojërave të brendshme politike apo përdorimit për konsum politik të kësaj çështjeje. Por i kërkoj kryeministrit shqiptar, z.Rama të bëjë më shumë se sa reagimi në Facebook, të bëje detyrën që i takon, sa kohë është kryeministër i Shqipërisë.

Unë dhe Partia Demokratike, opozita jemi të gatshëm të japim ndihmën dhe kontributin tonë të plotë për përgatitjen e një përgjigje, një reagimi dhe një mbështetje të plotë nga Shqipëria zyrtare në radhë të parë ndaj shtetit të Kosovës dhe së dyti si anëtare e NATO-s për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, që vjen si rezultat e një plani të mirë përgatitur dhe provokimeve serbe, për të kontribuar për një klimë të ç’tendosur, për rikthimin e dialogut, paqen dhe sigurinë në rajon.