“Treguesi më i mirë që krimi ka zaptuar Shqipërinë është puna e këtij Kuvendi”, deklaroi sot kryedemokrati Lulzim Basha pas votimit në Kuvend të mospranimit të kërkesës së prokurorisë për t’i dhënë leje për të arrestuar Saimir Tahirin.
Basha në fjalën e tij në kuvend adresoi akuza ndaj qeverisë duke u shprehur se ndalimi i arrestimit të Tahirit është një vulë e zezë për këtë kuvend. “Qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama është rasti i vetëm në historinë e botës që është marrë më shumë me punët e kriminelëve sesa me ekonominë apo shëndetësinë. Që krimi, droga dhe e keqja ka kapur vendin tregohet më së miri në këtë Kuvend. Është hera e parë, që Kuvendi hedh poshtë kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të një deputeti. Për herë të parë, Kuvendi rrëzon kërkesën e prokurorisë, ndërkohë që në 24 raste precedente, i është hequr të gjithëve edhe në raste kur ka qenë qesharake”, tha Basha.
Ai vuri në dukje se gjithnjë është respektuar parimi i ndarjes së pushteteve dhe se i takon drejtësisë për tu marrë me hetimet, jo Kuvendit. “Ky Kuvend tregoi se narkopolitikanët janë të paprekshëm, tha Basha.