Aktuale

Basha: Mirëpres qëndrimin e Metës, domosdoshmëri krijimi i një qeverie teknike

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar sot pas ftesës së një dite më parë të kryeparlamentarit Ilir Meta.

Basha thotë që në krye të herës se “Partia Demokratike dhe unë e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë krijimin e një qeverie teknike si një domosdoshmëri për organizimin e zgjedhjeve te lira e te ndershme dhe per stopimin e krizës se gjithanshme te vendit”.

Nga kjo pikëpamje, thotë ai, e mirëpres qëndrimin e djeshëm të kryetarit të LSI Ilir Meta për krijimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të lira në vend.

Ai argumenton se Meta e sheh te lidhur propozimin e tij, me domosdoshmërinë e votimit me konsensus të reformës në drejtësi.

“PD dhe opozita kanë kërkuar dhe janë angazhuar që prej fillimit e deri në këtë sekondë për një reformë konsensuale të standardeve të Venecias dhe në bashkëpunim të ngushte me partnerin tonë strategjik SHBA dhe BE”, deklaron Basha.

Ndërsa parashtron përpjekjet e opozitës për arritjen e konsensusit të mundshëm me mazhorancën lidhur me miratimin e reformës në drejtësi, Basha thotë se mbështet dhe mirëpret propozimin e Metës për një dialog shumëpalësh.

Gjithëpërfshirja ka zgjidhje, deklaron kryedemokrati Basha.