Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përshëndetur vendimin e gjykatës franceze për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës nga të gjitha akuzat.
Në një reagim për mediat, Basha është shprehur se drejtësi franceze mori vendimin e duhur, si dhe bëri thirrje që Shqipëri të ushtrojë presion ndaj Serbisë që raste të tilla të mos përsëriten më.
“Ndava me kënaqësi lajmin se drejtësia franceze mori më në fund vendimin e duhur për Ramush Haradinajn, duke e lënë atë të lirë për t’u kthyer në atdhe. Vendimi i sotëm është drejtësia e plotë, pas shumë javësh qëndrimi në Francë.
Urdhërarrestet e Serbisë janë jo vetëm padrejtësi personale ndaj njerëzve si Ramushi që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, por njëkohësisht sulm ndaj vetë pavarësisë, ndaj Republikës së Kosovës dhe integritetit të saj politik.
Me vendimin e sotëm të drejtësisë franceze, Serbia duhet të ndërgjegjësohet një herë e mire, e të anullojë urdhërrarrestet e saj për luftëtarët e Kosovës.
Po kështu është detyrë kryesore e qeverisë shqiptare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë dhe kerkesa ndaj vendeve të tjera, për të detyruar Beogradin të heqë dorë nga prakrika e turpshme, e padrejte dhe provokative e urdhër arresteve te tilla në mënyrë që padrejtësi si kjo me Ramushin të mos përsëriten më.”, -tha Basha.
Haradinaj u la i lirë nga të gjitha akuzat ditën e sotme nga gjykata franceze e Colmarit.