Aktuale

Basha: Do detajojmë marrëveshjen, pastaj mbyllim çadrën

Pas arritjes së marrëveshjes për zgjidhjen e krizës, e finalizuar në orët e para të së enjtes me përfundimin e takimit me kryeministrin Edi Rama, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u ndal për t’u përshëndetur me përkrahësit e tij në çadrën e protestës dhe për t’iu komunikuar atyre marrëveshjen.

“Gjithçka ka ndryshuar dhe e pamenduara tre muaj më parë, është arritur. Marrëveshja i hap rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sot nisim përgatitjet për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira. Ju falënderoj për qëndresën tuaj”, iu drejtua kreu i PD-së mbështetësve të tij.

Basha theksoi se çadra do të vazhdojë të qëndrojë e hapur deri në detajimin e marrëveshjes së arritur.

“Çadra nuk do të mbyllet. Në fillim të detajojmë marrëveshjen dhe pastaj të japim lajmin e mirë”, tha Basha.