Aktuale

Bartja e pronave për investitorët e huaj me shumicë të thjeshtë të votave nga Kuvendi

Projektligji për Investime Strategjike, që ditë më parë kryeministri Isa Mustafa u detyrua ta tërheqë nga seanca plenare për shkak të mospajtimeve mes deputetëve e qeverisë, këtë të martë është shqyrtuar në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.

Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, ndërsa qëllimi i këtij takimi ka qenë harmonizimi i qëndrimeve para se projektligji të procedohet përsëri në seancë, njofton Klan Kosova.

Mospajtimet kanë ekzistuar në pikën se si duhet të bartet pronësia tek investitorët e huaj derisa në komision është vendosur që kjo gjë të bëhet përmes Kuvendit me shumicë të thjeshtë të votave, që nënkupton se kjo gjë mund të bëhet edhe me më pak se 60 vota.

Por, ka qenë deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi që ka kundërshtuar këtë mënyrë duke votuar kundër projektligjit, derisa në mbledhje ka thënë se dhënia në shfrytëzim të pronave investitorëve të huaj, nuk guxon të bëhet me më pak se 60 vota.

Rexhepi ka thënë se nëse një Qeveri nuk i ka të paktën 60 vota në Kuvend, duhet të shkojë në shtëpi.