Aktuale

Banorja e Veterrnikut kërkesë policisë: Na ndihmoni me hajnat se çdo ditë po na vjedhin

Një qytetare e Kosovës, e cila jeton në lagjen “Veterrnik” në Prishtinë, ka treguar se banorët janë të rrezikuar nga vjedhje të rënda, të cilat thotë se janë duke u bërë përditshmëri në lagjen e tyre. Këtë lajm ua ka dhënë Policisë së Kosovës, përmes një e-maili dhe të njëjtin shkrim e ka dërguar edhe në Gazetën Express.
Lorana Ismajli, ka dërguar një kërkesë në Policinë e Kosovës, e kështu ka bërë të ditur edhe detaje për problematikat që po i shqetësojnë banorët e lagjes Veterrnik në Prishtinë.

Ajo ka treguar se kohëve të fundit banorët e kësaj lagjeje janë duke pasur probleme të mëdha me vjedhje që po bëhen aty. Madje, ajo thotë se vjedhjet po bëhen përditshmëri.

Ismajli i ka treguar policisë se para dy ditëve në rrugën “Feim Morina” ka ndodhur një vjedhje dhe kërkon nga policia të marrë masa më serioze ndaj këtyre vjedhjeve, e jo të lihen hajnat ta kryejnë qëllimin e tyre.

“Me shqetësim të thellë po ju drejtohem në lidhje me ankesat tona si lagje që gjendemi në Veterrnik, saktësisht Lagja Qëndresa (prapa Baumarketit) ku kohëve të fundit po ka vjedhje të rënda dhe të përditshme në lagjen tonë”, nis kërkesa e Lorana Ismajlit për Policinë e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Ismajli ka treguar edhe për një rast të vjedhjes që ka ndodhur ditë më parë, por pavarësisht që policia i din rastet, hajnat nuk po kapen.

“Rasti i fundit ishte dje saktësisht ai në rrugën Feim Morina, si dhe shumë shumë tjera i cili nuk po arrin sukses edhe pse po reagon policia gjate thirrjeve tona hajnat nuk po kapen dhe po e kryejnë qëllimin e tyre dhe vjedhjet nuk po ndalen”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se banorët po qëndrojnë në frikë dhe po u rrezikohet jeta, andaj kanë bërë kërkesa të shumta në polici, por edhe në Komunën e Prishtinës, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Ne jemi në frikë dhe po na rrezikohet jeta cdo ditë në lagjen tonë, kërkesat tona të shumta drejtuar Policisë me shkrim si dhe Komunës për të na sjellë policë civil me patrullime të rregullta që do të jetë efikase në kapjen e autorëve nuk po ka asnjë reagim apo përgjigje”, ka shkruar Ismajli.

Madje, ajo ka thënë se takimet e banorëve me policinë, për po këtë çështje nuk po kanë sukses.

“Lagja jonë është bërë vendtakim i hajnave gjatë natës, patrullime të hajnave ku i përzgjedhin shtëpitë apo vendbanimet për vjedhje, grabiten persona gjatë natës kur kalojnë rrugës , hudhen mbeturina pa fund nga kamione gjatë natës nëpër qoshe vend e pa vend duke e kontaminu lagjen. Ne po dyshojmë që në lagjen tonë ka një rrjet të organizuar të mirë të vjedhjeve të njëpasnjëshme dhe jemi të shqetësuar me mosreagim të shtetit me patrulla të mëdha dhe sidomos civile”, shkruan në kërkesë.

Ajo u është drejtuar policisë me lutje që t’iu dalin në ndihmë dhe të marrin masa efektive për ndaljen e këtyre vjedhjeve dhe kapjen e autorëve./GazetaExpress/