Banorë të fshatit Shipitullë kanë penguar eskavatorët e KEK-ut të avancojnë në nxjerrjen e thëngjillit.
Përpos që nuk u pajtuan me kushtet e kësaj ndërmarrje për zhvendosje, nuk i pranojnë as ofertën e qeverisë për shpronësim, raporton KTV.
Banorët tash po kërkojnë një marrëveshje të re me të gjitha palët e përfshira, por kërkesat e tyre janë po ato që kanë qenë nga fillimi.
Në përkrahje të tyre doli edhe kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi. Ai kërkoi po ashtu nga të gjitha palët që të ulen e të bëjnë një marrëveshje të re, përderisa akuzoi KEK-un se ka shkelur vendimet e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
KEK-u kundërshtoi konstatimet e Gashit pasi po veprojnë sipas licencës nga KPMM.
Kohavisioni ka kërkuar sqarime nga MMPH-ja lidhur me veprimet e tjera që do të ndërmerren rreth çështjes së shpronësimeve, por zyrtarë të saj nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.