Dhjetëra banorë të disa lokaliteteve të Shalës së Bajgores kanë mbajtur sot protestë duke bllokuar për një kohë rrugën në fshatin Bare, kundër KEDS-it për furnizim të dobët , mungesë të shpeshtë reduktime edhe tension të dobët, duke nënvizuar se kjo duhet kuptuar si paralajmërim për masa tjera edhe më radikale.
Disa nga banorët që morën pjesë në këtë protestë kanë theksuar për Bota Sot se “20 vjet pas përfundimit të luftës, në rajonin e Shalës së Bajgores banorët e kësaj zone vazhdojnë të ballafaqohen me probleme esenciale për jetesë, e mbi të gjitha me mungesë të energjisë elektrike.
Ne si banorë të kësaj ane, edhe përkundër vështirësive, mungesës së infrastrukturës dhe kushteve për jetesë kemi bërë përpjekje të skajshme për të mos I braktisur këto fshatra të bukura, por nëse nuk ka veprime konkrete nga institucionet komunale për përmirësimin e jetës dhe furnizimit me rryme, durimit tonë do të i vij fundi.
Adnan Ferati banor i kësaj zone ka thënë se “Problemi kryesor me të cilin ballafaqohemi përgjatë këtyre dy dekadave është mungesa e furnizimit me energji elektrike. Edhe pse kemi bërë ankesa e kërkesa të panumërta në KEDS, për vendosjen e trafove dhe lartë përçuesve në mënyrë që furnizimi me rrymë të jetë I pandërprerë.”
Ferati ka shtuar se në rrjetin e energjisë elektrike në Shalë të Bajgores nuk është investuar asgjë që nga vitet e 80-a, prandaj edhe problemet e shumta vijnë si pasojë e rrjetit të vjetërsuar dhe mungesës së përçuesve në këtë rrjetë.
Kompania KEDS është përgjegjëse për furnizimin me rrymë si dhe për investime në rrjet meqenëse ne për këto shërbime paguajmë fatura të rrymës (edhe pse me çmimet shumë të larta të energjisë) thanë protestuesit.
Ata kanë theksuar se kjo është thirrja e fundit që bëjmë në këtë formë, nëse brenda pak ditëve nuk stabilizohet furnizimi me rrymë ne do të redikalizojmë veprimet tona.
Dukshëm të indinjuar me situatën dhe problemet me të cilat përballen ata theksuan se “Ne nuk ka arritur as pushtuesi me na zhvendos nga trojet tona, ndërsa tash mungesa e kushteve po spastron Shalën e Bajgores nga banorët përmes KEDS-it që nuk ofron furnizim normal me rrymë”.
Ata të vendosur kanë thënë se “Nuk kërkojmë asgjë më shumë, vetëm trajtim të barabartë me banorët tjerë të gjithë Kosovës”.