Aktuale

Banorët e Rashiqit pa infrastrukturë

Mbi 130-të familje në Rashiq të Pejës vazhdojnë të jenë pa ujë të pijshëm. Përderisa në fshat janë duke u zhvilluar punime për vendosjen e gypave të ujësjellësit, banorët thonë për KosovaPress se përveç se nuk kanë ujë, atje po dëmtohet edhe asfalti i lagjes nga punimet joprofesionale që po bëhen aty.

Ndonëse banorët kanë participuar me mbi 20 mijë euro për këtë rrugë, thonë se Komuna e Pejës nuk është treguar e kujdesshme që të veprojë në bashkëpunim me ta, pasi nuk ua ka përfillur kërkesat.

Alban Briçori, përfaqësues i lagjes, thotë se me aq sa kanë informata, ujësjellësi është donacion i Zvicrës, por për punën joprofesionale që po bëhet mbetet përgjegjëse Komuna e Pejës.Ai madje tregon se në mungesë të ujësjellësit, furnizohen me ujë nga bunari, të cilat jo gjithherë kanë ujë të pijshëm.
Banorët e Rashiqit ishin zhgënjyer edhe më parë nga një projekt për rregullimin e ujërave të zeza, ndërsa tani shprehin dyshimet e tyre për projektin e radhës.

Për shqetësimet e banorëve të lagjes flet edhe mjeshtri i kësaj ane, Islam Gjocaj. Ai për KosovaPress rrëfen se procesi i vendosjes së gypave nuk po bëhet në mënyrën e duhur. Pastaj, si njohës i kësaj pune, ai rrëfen se mungesa e zhavorrit rrezikon ngushtimin dhe dështimin e gypave.Banorët e fshatit Rashiq nuk duan që uji të rregullohet vetëm përkohësisht. Ata thonë se është e rëndësishme që puna të jap rezultatet e saj, pavarësisht sesa mund të zgjas procedura e rregullimit të ujësjellësit.
Madje, me pesimizëm thonë se është më mirë të ndërpritet puna se sa të vendosen gypat pa zhavorr

Mjeshtri tregon se banorët gjatë punës në tokat e tyre duhet të vendosin maska për t’u mbrojtur nga era e kanalizimit.

Madje ai tregon se kur ka të reshura, rruga bëhet tërësisht e pakalueshme e posaçërisht për banorët e Banjës së Epërme. Ai apelon Qeverinë dhe Komunën e Pejës që të ndërmarrë hapa konkret për të rregulluar përfundimisht një herë e mirë ujësjellësin në fshatin Rashiq.

Se kjo çështje është goxha e komplikuar për banorët e fshatit Rashiq del të jetë edhe fakti se fillimisht duhet të ndërtohet edhe fabrika e ujit në Radac, e cila duhet të furnizojë gjithë Lugun e Boranit.
Ndërkaq, zyrtarë të Komunës së Pejës lënë të nënkuptohet se shqetësimet e banorëve të fshatit Rashiq janë të pa baza.

Muhamet Mahmutaj, zyrtar i Komunës së Pejës, i kontaktuar nga KosovaPress, tha se puna e ujësjellësit në Rashiq të Pejës është duke u bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.Madje ai tha se i mirëpret banorët për t’i dëgjuar shqetësimet e tyre, përderisa konsideron se banorët kanë gabuar që kanë dhënë informacione që nuk janë të vërteta. Sa i përket problemeve me kanalizim, ai tha se janë duke intervenuar në pjesët problematike që janë paraqitur, ndërsa shprehet se nuk kanë çfarë të bëjnë për pjesët ku nuk kanë mundësi intervenimi.“Ne jemi duke bërë përpjekje për të rregulluar aty ku nuk ka qenë në rregull. Aty ku nuk kemi mundësi intervenimi, nuk kemi mundësi intervenimi”, tha ai.Banorët e Rashiqit furnizohen me ujë të pijshëm në Pejë dhe Deçan.Kjo nuk është hera e parë që banorët e fshatit Rashiq kanë adresuar problemet e tyre, por kanë hasur në vesh të shurdhër./KosovaPress/