Aktuale

Banorët e Fushë Kosovës kundërshtojnë ndërtimin e shkollës

Numri i madh i nxënësve në Fushë Kosovë ka bërë që të merret vendim për ndërtimin edhe të një shkolle pranë “Kompleksit 300” në lagjen “Dardania”.

Por ndërtimin e këtij objekti po e kundërshtojnë banorët e kësaj lagjeje.

Për këtë ata kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për ta kundërshtuar ndërtimin e shkollës.

Iniciuesi i këtij peticioni, Veton Jusufi tha për KosovaPress nëpërmjet telefonit se nuk janë kundër ndërtimit të shkollës, por janë kundër lokacionit se ku është vendosur të ndërtohet shkolla.

“Ne nuk jemi kundër shkollës por jemi kundër lokacionit i cili po na e nxen hapësirën krejt komplet, shumica janë për ndryshimin e lokacionit jo aty me u bë por pak më lartë, do me thanë edhe ka hapësirë pak ma lartë me shku vetëm mos me na e nxënë hapësirën, tha Jusufi.

Lidhur me kundërshtimin e qytetarëve për punimet e shkollës, zyrtari për informim në komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli tha se qytetarët nuk po e kundërshtojnë ndërtimin e shkollës, mirëpo janë kundër lokacionit se ku po ndërtohet objekti.

Ai u shpreh se komuna nuk ka hapësira tjera ideale për ndërtimin e shkollës, prandaj është vendosur që në atë pronë publike të ndërtohet objekti.

“Nuk e besoj që se vjen deri te pengesa, ndërprerja e punimeve sepse ata janë të vetëdijshëm për rëndësinë e shkollës, shumica nga ata banor kanë edhe fëmijët e vet në atë shkollë dhe e dinë sa është e rëndësishme dhe sa është e dobishme të jetë shkolla aty. Pra sigurisht që unë i kuptoj edhe shqetësimet e tyre dhe institucionet dhe komuna i kupton shqetësimet e tyre dhe ata nuk janë kundër shkollës ata janë kundër lokacionit ku po ndërtohet ajo por realisht duhet të pajtohemi sepse nuk kemi hapësirë tjerët ideale të mjaftueshme për tu ndërtuar një shkollë“, tha ai.

Topalli për KosovaPress tha se janë të imponuar për të ndërtuar këtë shkollë për shkak të numrit të madh të nxënësve në shkollën fillore “Mihal Grameno”.

“Shkollën e ndërtojmë sepse jemi të imponuar ta ndërtojmë një shkollë duke pas parasysh numrin jashtëzakonisht të madh në shkollën fillore ‘Mihal Grameno’, ku kemi paralele mbi 50 nxënës, kemi një evazion të madh të qytetarëve në komunën e Fushë Kosovës dhe për çdo fillim vit neve na shtohen më shumë se dy-tri paralele të reja andaj jemi të detyruar, kemi qenë të detyruar që të ndërmarrim një hapë dhe të bëjmë zgjidhje kështu që kemi vendosur të ndërtojmë shkollën”, tha Topalli.

Pakënaqësinë për ndërtimin e shkollës e ka shfaqur edhe banorja e kësaj lagje, Kimete Ahmeti e cila për KosovaPress tha se e kundërshton ndërtimin e objektit të kësaj shkolle në këtë hapësirë sepse po ua marrin gjelbërimin, dhe kështu po u dëmtojnë infrastrukturën 300 banesave të kësaj lagje.

“Kam dal këtu ndërtimin që ka filluar të themi të një minishkolle sepse Fushë Kosova është e mbushur beton në secilin pëllëmbë. Tash këtu po na e marrin gjelbërimin, po e prishin infrastrukturën e 300 banesave këtu po thojnë po e bajm një shkollë, askush nuk është kundër shkollës edhe vet jam veterane e arsimit përkundrazi kam qef mu hap shkollë në çdo hap se dihet dobia e shkollës, mirëpo këtu nuk është vendi i duhur dhe shkolla që po mendojnë me ndërtu në këtë sipërfaqe kaq të vogël nuk plotëson kurrfarë nevoje”, tha ajo.

Ndërtimin e shkollës në këtë komunë e ka mirëpritur edhe drejtori i arsimit i kësaj komune, Islam Shabani i cili tha për KosovaPress se ndërtimi i shkollës padyshim që do të ndikojë në cilësinë e mësimit për faktin se shkolla fillore “Mihal Grameno” punon në tri ndërrime dhe numri i nxënësve në një klasë arrin deri në 47 nxënës.

Ndërtimi i kësaj shkolle është financuar nga komuna e Fushë-Kosovës dhe punimet sipas planit të paraparë pritet të përfundojnë pas një viti. /KP/