Aktuale

Banda e fajdeve dhe krimit të organizuar në Prishtinë, flet Prokuroria Speciale

Dhjetori i 2018-s vuri në pranga njërin prej grupeve më të mëdha të krimit të organizuar dhe fajdeve në Prishtinë. Prokuroria Speciale thonë se do të vazhdojnë kërkesën për masën e paraburgimit për të pestë të dyshuarit Dalip Brahimi, Rrahim Brahimi, Bujar Gërbeshi, Lulzim Berisha dhe Ismet Salihu.

Në përfundim të vitit 2018, policia arriti t’i prangosë pesë persona që dyshohet se lidhen me krim të organizuar dhe fajde. Gjatë asaj dite, policia kishte nisur t’i bastiste shtëpitë e të dyshuarve Dalip Brahimi, Rrahim Brahimi, Bujar Gërbeshi, Lulzim Berisha dhe Ismet Salihu.

Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar 16 mijë euro, pesë vetura, një motor udhëtarësh, 10 telefona celularë, një laptop, dy DVR, 12 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër shtëpiza të kompjuterit dhe katër aparate të lojërave të fatit.

Anëtari i degës së AAK’së në Kodrën e Trimave në Prishtinë, Dalip Brahimi dyshohet për fajde, detyrim, kanosje dhe krim të organizuar bashkë me djalin e tij, Rrahimin. Gjithashtu, Dalipi njihet në këtë lagje si njeri shumë i afërt me Enver Sekiraqën.

Me këtë rast po merret Prokuroria Speciale e Kosovës, të cilët menjëherë pas arrestimit kishin kërkuar paraburgim për këta të pestit me 30 ditë.

Sylë Hoxha, nga kjo prokurori, ka thënë për Gazetën Express se padyshim që të dyshuarve do t’u vazhdohet paraburgimi.

“Sigurisht që Prokuroria ka me kërku vazhdimin e paraburgimit për ta, për shkak të hetimeve që po zhvillohen”, ka thënë Hoxha për Express.

E Gjykata Themelore e Prishtinës, muajin e kaluar të pestëve ua kishte caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë, me kërkesën e Prokurorisë. Andaj, ata do të qëndrojnë në paraburgim deri më 20 janar, ndërkohë prokuroria do ta bëjë kërkesën për vazhdimin e paraburgimit.

Në vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të arrestuarve thuhet se ekziston rreziku që të njëjtit të arratisen.

Gazeta Express ka raportuar se atë ditë kur u bënë bastisjet nga ana e policisë, u bastis edhe shtëpia e Sabit Gecit, për shkak se njëri nga djemtë e tij, dyshohet për fajde dhe akuza të njëjta me të lartcekurit, por Njësia Speciale e Kosovës nuk e kishte gjetur në shtëpi./GazetaExpress/

the authorBurbuqe Metolli